Norvegjia dhe Franca për vendin e parë, Senegali e Iraku luajnë për shpresën e fundit
Faza e grupeve në Kupën e Botës 2026 vazhdon sonte me dy përballje vendimtare të Grupit I, ku vëmendja kryesore do të jetë te dueli mes Norvegjisë dhe Francës, ndërsa në ndeshjen tjetër Senegali përballet me Irakun.
Norvegjia dhe Franca kanë siguruar tashmë kualifikimin në fazën e 1/16 së finales, por përballja mes tyre do të përcaktojë fituesin e grupit. Francës i mjafton një barazim për të ruajtur vendin e parë, falë golavarazhit më të mirë, ndërsa norvegjezët synojnë fitoren për ta mbyllur grupin në krye.
Ndeshja pritet të sjellë përballjen e shumëpritur mes dy yjeve të mëdhenj të futbollit, Erling Haaland dhe Kylian Mbappe.
Në kampin norvegjez, trajneri Stale Solbakken ka lënë të kuptohet se mund të bëjë rotacione në formacion, me qëllim ruajtjen e freskisë së skuadrës për fazën me eliminim direkt. Ndërkohë, Franca do të jetë pa trajnerin Didier Deschamps në stol, pasi ai është larguar për arsye familjare.
Në anën tjetër, Senegali dhe Iraku zbresin në fushë me synimin për ta mbyllur turneun me fitore. Senegalezët, të cilët janë mposhtur nga Franca dhe Norvegjia në dy ndeshjet e para, e kanë cilësuar këtë përballje si “një finale”, ndërsa trajneri Pape Bouna Thiaw ka kërkuar reagim nga skuadra pas zhgënjimeve të deritanishme.
Të dyja ndeshjet zhvillohen sonte dhe nisin në orën 21:00, sipas kohës lokale.



