
Nuk do të ketë shtet palestinez
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka reaguar ashpër pasi Britania e Madhe, Kanadaja dhe Australia kanë shpallur zyrtarisht njohjen e Palestinës si shtet të pavarur.
Në një videomesazh të publikuar të shtunën, të cilin e transmeton “BBC”, Netanyahu u shpreh se një shtet palestinez nuk do të lejohet të ekzistojë në perëndim të lumit Jordan.
“Nuk do të ketë një shtet palestinez”, tha Netanyahu në mesazhin e tij.
Ai e cilësoi njohjen ndërkombëtare të Palestinës si një shpërblim për terrorizmin, duke iu referuar sulmeve të 7 tetorit.
“Kam një mesazh të qartë për ata udhëheqës që njohin një shtet palestinez pas masakrës së tmerrshme të 7 tetorit – ju po i jepni një shpërblim të madh terrorizmit. Dhe kam një mesazh tjetër për ju – kjo s’do të ndodhë. Një shtet palestinez nuk do të krijohet në perëndim të lumit Jordan”, theksoi ai.
Netanyahu gjithashtu tha se ka rezistuar për vite ndaj presioneve ndërkombëtare për të lejuar krijimin e një shteti palestinez dhe se, përkundrazi, ka forcuar praninë izraelite në territoret e diskutueshme.
“Në të vërtetë, ne dyfishuam vendbanimet hebraike në Judea dhe Samaria – dhe do të vazhdojmë këtë rrugë”, deklaroi ai.
Ai shtoi se një përgjigje ndaj zhvillimeve të fundit do të jepet pas kthimit të tij nga Shtetet e Bashkuara, ku do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.
“Një përgjigje ndaj përpjekjes së fundit për të imponuar një shtet terrorist në zemër të vendit tonë do të jepet pasi të kthehem nga SHBA-ja”, përfundoi Netanyahu.