“Nuk është lufta e Europës” – Pse aleatët e NATO-s hezitojnë ta ndihmojnë Trumpin për luftën ndaj Iranit?
Aleatët perëndimorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës po reagojnë me kujdes dhe hezitim ndaj përpjekjeve të presidentit amerikan Donald Trump për të përfshirë NATO-n në përballjen me Iranin, duke theksuar se nuk ekziston një zgjidhje e shpejtë për krizën e krijuar në Gjirin Persik.
Nga Paul Adams – BBC
Komentet e fundit të Trumpit, ku ai paralajmëroi se dështimi për të siguruar kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit do të ishte “shumë i keq për të ardhmen e NATO-s”, kanë ngritur dyshime tek partnerët europianë, për rolin që duhet të luajë aleanca në këtë konflikt.
Ish-shefi i shtabit të mbrojtjes britanike, Nick Carter, theksoi se NATO është krijuar si një aleancë mbrojtëse dhe jo si një mekanizëm, që detyron vendet anëtare të ndjekin një luftë të zgjedhur nga një shtet i vetëm. Sipas tij, ideja që aleatët të përfshihen automatikisht në një konflikt të nisur nga një anëtar, nuk është ajo për të cilën është krijuar aleanca.
Reagimet nga Europa kanë qenë të drejtpërdrejta. Në Gjermani, zyrtarët qeveritarë deklaruan se lufta me Iran “nuk ka lidhje me NATO-n”. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, madje vuri në dyshim efektivitetin e kontributit të flotave evropiane, duke thënë se disa fregata evropiane nuk mund të bëjnë atë, që marina e fuqishme amerikane nuk ka arritur.
Megjithatë, situata në rajon po përkeqësohet. Bllokimi efektiv i Ngushticës së Hormuzit nga Irani, përveç disa anijeve që transportojnë naftë drejt aleatëve si India dhe Kina, po shkakton presion të madh mbi ekonominë globale dhe po detyron qeveritë perëndimore të kërkojnë urgjentisht një zgjidhje.
Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se bisedimet me SHBA-në, partnerët evropianë dhe vendet e Gjirit janë në vazhdim për të hartuar një plan të zbatueshëm, por theksoi se vendimet konkrete ende nuk janë marrë. Ai përmendi përdorimin e sistemeve autonome për zbulimin dhe neutralizimin e minave detare, duke përfshirë dronë detarë, që mund të kryejnë këtë detyrë pa rrezikuar ekuipazhet.
Problemi është se pastrimi i minave nuk është më prioritet për shumë marina moderne. Eksperti ushtarak dhe ish-komandanti i Marinës Mbretërore britanike, Tom Sharpe, paralajmëroi se teknologjitë e reja britanike nuk janë testuar ende në kushte reale lufte. Operacioni i fundit i madh i çminimit detar nga vendet perëndimore ndodhi në vitin 1991 pas Luftës së Gjirit Persik dhe atëherë u deshën 51 ditë për të pastruar zonën nga minat.
Ndërkohë, Irani ka kapacitete të shumta për të kërcënuar transportin detar: nga varkat e shpejta të armatosura e dronët detarë vetëvrasës deri te raketat bregdetare. Mediat iraniane kanë publikuar edhe pamje, që tregojnë depo të mëdha me varka dhe dronë të fshehura në tunele nëntokësore, duke sugjeruar se Teherani është përgatitur prej kohësh për një skenar të tillë.
Presidenti Trump ka lënë të kuptohet se mbajtja e hapur e ngushticës mund të kërkojë edhe sulme ndaj objektivave iraniane përgjatë vijës bregdetare. SHBA-të tashmë kanë goditur disa anije, që dyshohet se vendosnin mina në portet iraniane. Megjithatë, është e vështirë të imagjinohet se shumë aleatë të Uashingtonit do të pranojnë të marrin pjesë në operacione të tilla ushtarake, veçanërisht nëse ato përfshijnë trupa në terren.
Në këtë klimë të tensionuar, disa vende evropiane po shqyrtojnë mundësinë e dërgimit të anijeve për të shoqëruar anijet tregtare në rajon. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, sugjeroi që mandati i misionit detar evropian Operation Aspides të zgjerohet për të rritur sigurinë në Gjirin Persik. Ky mision u krijua në vitin 2024 për të mbrojtur transportin detar nga kërcënimet e rebelëve Houthi në Detin e Kuq, por aktualisht përfshin vetëm tre anije luftarake.
Megjithatë, entuziazmi për zgjerimin e operacionit është i kufizuar. Disa vende si Spanja dhe Italia kanë shprehur dyshime, ndërsa Gjermania kërkon më shumë qartësi nga SHBA-të dhe Izraeli për objektivat ushtarake të fushatës kundër Iranit, përpara se të diskutojë masa të reja sigurie.
Presidenti francez Emmanuel Macron është ndër liderët evropianë më të hapur për një rol më aktiv, duke përmendur mundësinë e krijimit të një koalicioni për të garantuar lirinë e lundrimit në rajon. Megjithatë, edhe Parisi ka theksuar se çdo operacion i tillë mund të ndodhë vetëm pasi të përfundojë faza më e ashpër e konfliktit.



