Nuk kemi pritje të mëdha nga qeveria e re

30 shtator 2019 | 14:01

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSh), Ragmi Mustafa, ka thënë se edhe më tutje shqiptarët në Luginë të Preshevës nuk mund t’i realizojnë të drejtat e tyre individuale dhe kolektive.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka bërë me dije se nxënësve të arsimit fillor dhe të mesëm u mungojnë tekstet shkollore në gjuhën shqipe.

“Përdorimi i lirë i simbolit kombëtar është mollë e ndaluar, po ashtu është i cunguar përdorimi i gjuhës dhe shkrimit shqip si gjuhë zyrtare në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Tani certifikatat e lindjes merren vetëm me shkrimin civil edhe për shqiptarët dhe kjo është shkelje e të drejtave individuale. Zhvillimi ekonomik në Luginë të Preshevës është duke ngecur sepse nuk ka investime. Nuk ka perspektivë për rininë e cila në masë të madhe është duke shkuar drejt Evropës. Shqiptarëve të Luginës nuk u njihen nga Serbia as diplomat e universiteteve të Kosovës, kurse serbëve në Kosovë u njihen diplomat edhe nga universitetet paralele”, është shprehur Mustafa.

Ai ka thënë se nuk kanë pritje të mëdha as nga qeveria e ardhshme e Kosovës meqë ajo do të drejtohet nga subjektet që kanë qeverisur edhe më herët.

“Qeveria e re pritet të drejtohet nga subjektet që kanë qeverisur edhe në të kaluarën, prandaj pritjet tona nuk janë shumë të mëdha, por dëshirat tona janë miliona herë më të mëdha sesa pritjet. Është kruciale që në procesin e bisedimeve në mes të Prishtinës dhe Beogradit duhet të vendoset zgjidhja e problemit të shqiptarëve në Luginë të Preshevës”, ka theksuar Mustafa, duke shtuar se Lugina përfundimisht duhet të bëhet pjesë e dialogut dhe në kuadër të marrëveshjes përfundimtare të përfshihet edhe bashkimi i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën.

“Prandaj është momentumi i fundit që Presheva, Bujanoci dhe Medvegja të bëhen pjesë e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë pas zgjedhjeve të 6 tetorit. Në marrëveshjen përfundimtare në mes të dy vendeve duhet të përfshihet edhe bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën”, ka thënë ai. Pavarësisht prej vështirësive, Mustafa ka shprehur optimizëm, duke thënë se beson 99 për qind në realizimin e këtij projekti.

“Epoka e re”: Z. Mustafa, a ka përmirësim të gjendjes së përgjithshme në Luginë të Preshevës?
Mustafa: Gjendja e shqiptarëve në Luginë të Preshevës nuk ndryshon prej kohësh sepse asnjë qeveri e Serbisë nuk ka qenë e interesuar ta përmirësojë gjendjen e shqiptarëve dhe realizimin e të drejtave të tyre individuale dhe kolektive. Edhe më tutje nxënësve të arsimit fillor dhe të mesëm u mungojnë tekstet shkollore në gjuhën shqipe. Përdorimi i lirë i simbolit kombëtar është mollë e ndaluar, po ashtu është i cunguar përdorimi i gjuhës dhe shkrimit shqip si gjuhë zyrtare në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Tani certifikatat e lindjes merren vetëm me shkrimin civil edhe për shqiptarët dhe kjo është shkelje e të drejtave individuale. Zhvillimi ekonomik në Luginë të Preshevës është duke ngecur sepse nuk ka investime. Nuk ka perspektivë për rininë e cila në masë të madhe është duke shkuar drejt Evropës. Shqiptarëve të Luginës nuk u njihen nga Serbia as diplomat e universiteteve të Kosovës, kurse serbëve në Kosovë u njihen diplomat edhe nga universitetet paralele.

“Epoka e re”: Ka qenë e pamjaftueshme ndihma që keni marrë nga Kosova dhe Shqipëria?
Mustafa: Nuk ka pasur ndonjë investim të madh nga dy qeveritë shqiptare. Gjatë mandatit të tij ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka sjellë 104 mijë ekzemplarë të teksteve që ishte gjest i shkëlqyer, por ato tekste për shtatë muaj u mbajtën në doganën serbe dhe asnjëherë nuk u lejuan të vijnë në duart e nxënësve meqë u kthyen mbrapa. Një ndihmë tjetër ka qenë edhe për maternitetin ku Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë i kanë dhënë nga 50 mijë euro. Nga qeveria e fundit e Kosovës kanë qenë disa investime të vogla në Bujanoc por, megjithatë, ato janë të mirëseardhura për shqiptarët, sepse përmes këtyre investimeve ndërtohet një besueshmëri se ka kujdes të veçantë për shqiptarët. Ato investime janë në vlerë 30-40 mijë euro apo 50-60 mijë euro, mirëpo e kuptojmë se buxheti i Kosovës nuk është aq i madh sa për t’i ndihmuar shqiptarët në bazë të nevojave që kanë. Serbia investon miliona euro brenda një viti në Kosovë për serbët, prandaj një sjellje reciproke duhet të jetë edhe prej Shqipërisë dhe Kosovës, pra të kujdesen për shqiptarët siç kujdeset Serbia për serbët.

“Epoka e re”: Aktualisht Kosova ndodhet në proces zgjedhor. Cilat janë pritjet e Luginës së Preshevës nga qeveri e re në raport me shqiptarët e asaj pjese?
Mustafa: Qeveria e re pritet të drejtohet nga subjektet që kanë qeverisur edhe në të kaluarën, prandaj pritjet tona nuk janë shumë të mëdha, por dëshirat tona janë miliona herë më të madhe sesa pritjet. Është kruciale që në procesin e bisedimeve në mes të Prishtinës dhe Beogradit duhet të vendoset zgjidhja e problemit të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Lugina përfundimisht duhet të bëhet pjesë e dialogut dhe në kuadër të marrëveshjes përfundimtare të përfshihet edhe bashkimi i Luginës me Kosovën.

“Epoka e re”: Si e shihni ecurinë dhe epilogun e këtij procesi gjatë mandatit të qeverisë së re?
Mustafa: Dialogu në mes të dy popujve dhe dy shteteve të cilat kanë problem nuk ka alternativë, sepse kemi provuar zgjidhjen e problemeve edhe me luftëra dhe dihen dëmet që janë shkaktuar. Prandaj dialogu nuk mund të zëvendësohet me asnjë mjet tjetër për zgjidhjen e problemeve. Në këtë drejtim presim që përfundimisht të arrihet një marrëveshje me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) të cilat duhet të jenë garantuese të fuqishme për zbatimin e marrëveshjes. Nëse Amerika është garantuese e zbatimit të marrëveshjes, atëherë nuk ka pse të hezitohet dhe të pritet më gjatë, sepse ShBA-ja asnjëherë gjatë historisë nuk i ka mashtruar shqiptarët dhe nuk ka vendosur në dëm të tyre. Edhe në këtë rast nuk ka arsye për të mos i besuar Amerikës kur pritet një zgjidhje e mirë, aq më tepër kur mbështetet bashkëngjitja e Luginës së Preshevës me Kosovën. Është treni i fundit që shqiptarët në Luginë të Preshevës ta kenë lirinë e tyre, përkatësisht të bashkohen me Kosovën.

“Epoka e re”: Nëse nuk ndodhë ky bashkim, të paktën prisni që përmirësimi i të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës të jetë një prej pikave të marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë?
Mustafa: Jo, asnjëherë. Ajo mund të jetë e shënuar në cilindo dokument, por Serbia nuk do ta zbatojë. Serbia asnjëherë nuk i ka zbatuar marrëveshjet, ligjet dhe Kushtetutën kur kanë qenë në pyetje të drejtat dhe interesat e shqiptarëve. Një moszgjidhje e problemit të shqiptarëve në Luginë të Preshevës hap rrugë që shqiptarët të migrojnë edhe më shumë. Prandaj është momentumi i fundit që Presheva, Bujanoci dhe Medvegja të bëhen pjesë e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë pas zgjedhjeve të 6 tetorit. Në marrëveshjen përfundimtare në mes të dy vendeve duhet të përfshihet edhe bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën.

“Epoka e re”: Pavarësisht dëshirës, sa janë gjasat reale që të ndodhë një gjë e tillë?
Mustafa: Unë dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSh) në Luginën e Preshevës e dëshiron, e mbështet dhe beson 99 për qind për realizimin e këtij projekti.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një peshkaqen dy metra i gjatë ka rënë në rrjetat…