Nuk shkruaj në çdo vend siç shkruante Ali Podrimja

18 korrik 2021 | 15:22

Bisedoi: Berat Armagedoni

 

Ku dhe kur shkruani?

 

Edhe pse Heminguei thoshte se është shumë keq që një shkrimtar të flasë se si shkruan, megjithatë shkrimtarë të njohur kanë shkruar për provën e imagjinatës, për ta kuptuar pjesën më të mahnitshme të frymëzimeve të tyre, më tutje edhe si përvojë krijuese, duke e ditur faktin se një ndër principet më të rëndësishme të njeriut është vetënjohja. Mendoj se poezia është një shkëmbim i njohurive për jetën dhe shkrimin përmes vetënjohjes, ndërsa filozofia e saj është një arsye apo një proces i komunikimit për ta kuptuar jetën njerëzore në kërkimin e vetvetes.

Shkruaj dhe i shpreh ndjenjat pikërisht nga rezultati i bash­kimit të frymëzimeve në një horizont, aty ku rrinë dashuria dhe fantazia, të cilat janë si pikat e ujit në shpirtin e njeriut që i japin fuqi motivimit të papërsëritshëm në jetë dhe në krijim­tari.

Borhesi thoshte se “jeta bëhet nga poezia”. Çfarë mrekullie për poetët. Mbase kjo thënie mund t’i përgjigjet edhe krijimta­risë sime dhe, nganjëherë, më duket vetja se jam gjithmonë i ngarkuar me kujtime që banojnë në shpirtin tim, duke pritur rishpërthimin e ndjenjave.

Kur shkruaj nuk pëlqej ndonjë ceremoni të veçantë siç bënin shumë shkrimtarë botërorë. Për shembull, të vishem me rroba të bukura çdo mëngjes, të pi kafenë më pak qumësht apo të flas vetë me vete se çfarë do të bëj gjatë ditës. T’i lexoj poezitë me zë të lartë apo të përmallohem për kohën e fëmijërisë, kur vështirë i mësoja poezitë përmendësh. Asokohe mendoja se jo secila poezi mund të ketë fjalë të pavdekshme, as ritëm, as figurë, as përjetim, as ndikim…

Poeti mund të jetë ëndërrimtar mjaft i përpiktë kur përpiqet të zbulojë gjëra të bukura që i flenë në shpirt, duke i ringjallur kujtimet, për ta ndërtuar pasionin, kënaqësinë, përjetimin jo vetëm për vetveten, por edhe për të tjerët.

Në intervistën time, me titullin Poezia si teori e dashurisë, i kam paraqitur mendimet lidhur me pyetjen ku shkruani? Me këtë rast po i paraqes edhe disa mendime të tjera.

Nuk shkruaj në çdo vend siç shkruante Ali Podrimja, apo siç shkruajnë shumë poetë. Mbase e kam krijuar në vetvete një lloj teorie të frymëzimit, me vetë faktin se para se të shkruaj më duket se krijoj të fshehtën për ta sublimuar të bukurën. Në librin tim të zgjedhur me poezi, me titullin Dhembje e bekuar 333 poezi, në ballinë i kam përzgjedhur 33 figura që i përdor më së shumti në tërë krijimtarinë time. Ato janë: Zoti, dashuria, bukuria, vendlindja, zjarri, rruzullimi, vetmia, trishtimi, vdekja, ëndrra, gjarpri, përjetësia, parajsa, ferri, purgatori, lulja, nëna, shiu, gjaku, pagjumësia, drita, gjuha, toka, heshtja, dritarja, hija, fjala, pasqyra, guri, gjuha, koha dhe dorëshkrimi.

Jo rrallë mendoj për dyqind fjalët e Lasgushit për poezinë dhe për mendimin e tij se poezia nuk është te fjalët, poezia është te poeti. Zakonisht shkruaj në orët e hershme të mëngjesit. Nuk shkruaj çdo ditë. Ndodh që nuk shkruaj poezi deri në tre-katër muaj. Sikur më mbushet mendja me lloj-lloj idesh, përfytyri­mesh, mendimesh, pastaj i vendos vargjet në kompjuter.

Krijimi i poezisë është akt solemn siç do të mund të ishte gjurma e një buzëqeshjeje, ndoshta edhe nga rimarrjet që tashmë i përkasin një tendence estetike që ka të bëjë me magjinë krijuese.

Është shumë interesante. Një ditë seç m’u kujtua buzëqeshja e fundit e Beatriçes së Dantes, ditën tjetër udhëtimi poetik i Borhesit nëpër labirintet e bibliotekës, pastaj shumë romane të bukura me histori dashurie. Shpesh më ka ndodhur të ripro­dhoj diçka në mënyrën time, në stilin tim, duke iu referuar hollësive dhe situatave, ndoshta që i kam lexuar e gjetur në veprat e ndryshme. Kjo është kujtesa e shkrimit që e ndjek secilin autor, kur dëshiron të zbulojë ide, koncepte, kuptime, përmbajtje të reja, natyrisht për të cilat ishte shkruar edhe më herët.

Konceptin e të menduarit për letërsinë gjithmonë e kam synuar për trajtimin e fenomeneve dhe dukurive njerëzore, për t’i rikthyer në procesin krijues të veprës. Jam përpjekur ta shpjegoj në vetvete shkakun e lindjes së frymëzimeve. Ku qëndron thelbi i tyre? Përse më josh përnjëherë letrarja dhe filozofikja kur shkruaj? Sikur e ndërtoj një raport në ndërdije me këta dy përbërës. Ndoshta kjo bëhet mënyrë e përcaktimit ku përqendrohem për realizimin e një lloj shkrimi, duke e kërkuar besueshmërinë për të dyja. Shpeshherë më ka ndodhur ta braktis atë çfarë kam shkruar, kur pikëpamjet e mia i ka zotëruar një refleksion tjetër, se shkrimi ende nuk është në nivelin që më pëlqen mua. Umberto Eco do të thoshte se invencioni prodhon realitet.

 

Për çfarë ju merr malli?

 

Sigurisht malli më i veçantë për mua është që të jem sa më gjatë në mjedisin familjar, i rrethuar nga të dashurit e mi. Shumë shkrimtarë kanë thënë se duke shkruar libra bëhen të lumtur. Nuk e di ku qëndron aftësia krijuese e shpirtërore e shkrimtarit për të qenë i lumtur përbrenda atmosferës së fanta­zisë për t’i zbuluar ndjenjat e tij. Më së shumti më merr malli për dashurinë që ekziston brenda ndjesisë sime. Vullneti i njeriut në çdo situatë qëllimin përfundimtar e ka te lumturia dhe dashuria apo te virtyti i të dyjave bashkë.

Vitet e fundit më së shumti rri në Symphony dhe në Amaro, dy lokale të bukura në Prishtinë. Secilin njeri shpeshherë e merr malli sidomos për kohën e fëmijërisë dhe për më të dashurit që nuk jetojnë më. Edhe mua më ngjan kjo, edhe pse ndonjëherë më duket se kujtesa është e paprekshme. Gjithnjë mendoj se kujtimet mbijetojnë vetëm në shkrime. Shpesh më merr malli për shiun që m’i lagte flokët në kohën e fëmijërisë. E ndieja një kënaqësi shpirtërore asokohe kur më lagte shiu sepse nëna më thoshte se shiu të rritë e të bën të madh. Sikur shiu me kohë u bë onomatope interesante në poezinë time. Piklat e shiut e kishin muzikalitetin dhe ritmin e vet kur binin në tokë. Asokohe mendoja se sikur unë isha ndërmjetës midis qiellit dhe tokës. Kjo qe një kënaqësi e papërshkruar për mua.
Fuqinë e frymëzimit në poezinë time, jo rrallë, e kam ndër­lidhur edhe me vjeshtën. Gjithnjë më merr malli për stinën e vjeshtës, sepse shumicën e librave të mi i kam shkruar në vjeshtë. Në fakt, periudha e përfundimit të stinës së verës dhe fillimi i vjeshtës sikur më japin fuqi shpirtërore për të shkruar. Disa herë kam menduar pse më ndodh kjo? Sikur e analizoj ndjenjën e dashurisë për t’i nxjerr poetikisht efektet që i shkakton ajo. Vërtet më ndodh një lloj metamorfoze e çudit­shme, ndoshta vetëm për ta përvetësuar atë ndjeshmëri poetike që buron nga shpirti krijues. Prandaj, kjo më mjaftonte për t’i shtresuar gjithë ato dallgë të frymëzimit që e kanë magjinë e vet poetike, stilistike, figurative apo edhe diçka më tepër.

 

Çfarë mund të na thoni për tre librat tuaj me poezi të cilët e përbëjnë fazën e parë të krijimtarisë suaj?

 

Librin e parë me poezi, me titullin Albumi i grisur, e kam botuar në vitin 1986. Thonë libri i parë është si dashuria e parë. Dihet, çdo gjë fillon me lumturinë. Më dukej se libri i parë ishte si një ditar intim të cilit nuk ia gjeja fundin. Synoja ta ndërtoja mendimin dhe stilin tim duke i krahasuar gjërat që i ndieja në shpirt me ato që më shfaqeshin si imazhe në çastin e parë. Jo rrallë më dukej se nuk përputhej ideja me qëllimin. Diçka tjetër ëndërroja, ndërsa diçka tjetër më dilte në letrën e bardhë. Më dukej se gjithnjë nxitoja për ta shfaqur mendimin, prandaj sikur më mungonte disiplina krijuese apo durimi. Më pëlqenin sidomos figura e krahasimit dhe e epitetit, por edhe e kontrastit. Dyshoja se në shpirtin tim qe formuar një marrë­veshje e fshehtë e kuptimeve dhe figurave për vargun dhe për poezinë në përgjithësi. Ndoshta kjo ma sillte dilemën për saktësinë e mendimeve që i riprodhoja shumë gjatë në mendjen time. Nuk më dilnin siç i paramendoja. A isha unë subjekti apo ishte ai tjetri? Ky ishte shqetësimi i radhës. Përse nuk përputhej ndjeshmëria ime me atë të tjetrit, që do të ishte ndoshta sikur unë! Ndoshta nga këtu fillonte zotërimi i brend­shëm i dy gjendjeve: atë që ndieja në shpirt dhe ajo tjetra, imagjinarja, që më shqetësonte dhe që më rrethonte për t’u bërë pjesë e jetës shpirtërore. Natyrisht, kjo ishte më shumë se brengë, sidomos për ndërtimin e figurave poetike, ndonjëherë edhe për temat e padëshifrueshme kurrë deri në fund, të cilat ishin projektuar në kujtesën time, pikërisht nga magjepsja e frymëzimeve.

Me librin e dytë me poezi Zogu me profil vjeshte (1989), asokohe kam synuar t’i projektoj idetë e mia përbrenda një teorie krijuese. Fillonte të më shqetësonte më shumë vetëdija për shkrimin, për idetë dhe për temat. A mund të zbuloja më tutje vetëm figura të bukura, të qëlluara dhe domethënëse, për ta shqiptuar procesin e interpretimit të fenomeneve dhe dukurive të jetës. Përse zogu, gjarpri, qyqja, korbi, vjeshta, heshtja, vetmia, dashuria, dhimbja, fati etj., bëheshin figura të bukura dhe të dhimbshme në të njëjtën kohë, përmes të cilave dëshiroja t’i emërtoja gjërat apo dukuritë që më shqetësonin. Synoja ta zbuloja esencën e ëndrrave të mia rinore të cilat gjithmonë e kishin një përmallim të papërshkruar apo të pathënë deri në fund, herën tjetër edhe një revoltë me dome­thënie të caktuar poetike, të ndërlidhur me temat e aktuali­tetit, sidomos poezitë që ndërlidheshin me toponiminë, me emërtimet e vendbanimeve, meqë në atë periudhë bëheshin përpjekje për ndryshimin e emërtimeve me përmbajtje shqip­tare. Po kështu, libri im i dytë me poezi iu referohet miteve apo strukturave të ndryshme mitologjike, por edhe legjendave dhe baladave. Rozafati, Aloidët, Boa, Troja, Lebetitë, Zogjtë e Stimfalit, Drimona, Lynkesta, Sytë e Argusit, Aka Larencia etj. Në këtë mënyrë, figura, tema, ide, motive të ndryshme, të rimarra në një kontekst të caktuar poetik, vihen në një sprovë të re ligjërimore.

Libri im i tretë me poezi, Plagomë (1994), i shkruar në rrethana të caktuar sociale dhe politike, gjithsesi e projekton një dhimbje tjetër njerëzore dhe kombëtare, të ndërlidhur me periudhën kur regjimi i atëhershëm serb ushtronte dhunë të vazhdueshme mbi shqiptarët, në edukim, kulturë, si dhe në shumë fusha të tjera të jetës. Shumë poezi të këtij libri kanë refleksion dramatik në të shqiptuarit e temave të aktualitetit. Gjithnjë synoja një pavarësi estetike, për t’i shpjeguar përmes poezisë fenomenet dhe dukuritë e ndërlidhura me kulturën, gjuhën, identitetin. Në të gjitha variantet e shkrimit liria ishte tema kryesore. Pra, kuptimi i lirisë ishte thelbi i frymëzimit poetik. Përmes Plagomës synoja ta bëja kapërcimin apo tejka­limin në një ligjërim të ri poetik, të cilin nuk e kisha aq shumë të pranishëm në dy librat e mi të parë me poezi. Ky parim imi krijues kishte të bënte me dominimin e figurës, me funksiona­lizimin e imazhit simbolik, por edhe me paraqitjen dhe zbër­thimin e absurdit. Mendoj se me librin tim të tretë me poezi fillon projekti im krijues për funksionalizimin e sistemit poetik në poezinë time. Me kohë e fitova bindjen se ishte libri im përcaktues për të vazhduar më tutje me poezinë, me projekti­min e ideve dhe të koncepteve krijuese, për t’ia dëshmuar vetvetes se po nisem në këtë rrugë për ta provuar hyrjen në botën e letërsisë.

 

Si i keni shkruar librat tuaj me ese dhe studime letrare?

 

Në të vërtetë, fillimisht kam shkruar dhe botuar shumë shkrime kritike, kryesisht recensione, ese dhe studime, në gazeta dhe revista letrare të ndryshme në Kosovë, por më vonë edhe në Shqipëri. Ky qe një motivim i jashtëzakonshëm për të vazhduar me kritikën letrare.

Vlerësimi i veprave letrare në vitet tetëdhjetë e nëntëdhjetë të shekullit të kaluar ishte privilegj për kritikun letrar dhe për studiuesin e letërsisë. Më tutje kam vazhduar botimet e veprave me ese dhe studime letrare, siç janë: Shqipshkrimi kritik (1997), Kuteli poet, prozator, kritik (1999), pastaj të veprave të tjera, Domethënia e ideve letrare (2001), Proza e filleve të modernitetit (2006), Studime letrare (2008), Enigma e shkrimit (2018) dhe Esenca e ligjërimit letrar (2020).

Në librin me ese dhe studime letrare Shqipshkrimi kritik (1997) kam trajtuar tema dhe probleme që kanë të bëjnë me letërsinë moderne dhe me letërsinë e sotme shqipe. Kam trajtuar fenomene të ndryshme letrare dhe estetike, duke provuar të vë komunikimin e qartë me përbërësit kryesorë të tekstit, me një përqendrim të veçantë të kodit tematik dhe të kodit ligjërimor. Ndërkaq, në studimin monografik Kuteli, prozator, poet, kritik (vepër që është nderuar me çmimin më të lartë letrar në Kosovë Pjetër Bogdani si libër i vitit 1999), përmes qasjes historiko-letrare dhe teorike e kam shqyrtuar veprën e Mitrush Kutelit.

Me veprën tjetër me ese dhe studime letrare, Domethënia e ideve letrare, jam përpjekur të vë një dialog kritik me idetë e mëdha nacionale në vitet ’20 dhe ’30 të shekullit XX, por kam bërë kërkime edhe për autorë të periudhave të ndryshme letrare. Në këtë vepër studimore jam marrë me veprat e autorëve, pothuajse të të gjitha periudhave letrare.

Më tutje, interesimet e mia në fushën e kritikës letrare i kam vazhduar me veprën studimore Proza e filleve të modernitetit (2006), në të cilën trajtohet proza e autorëve emblematikë të letërsisë shqipe: Faik Konica, Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli dhe Migjeni. Përqendrimi im është mbështetur kryesisht në trajtimin tematik të veprës së këtyre autorëve, me një analizë letrare, interpretim dhe vlerësim kritik në tri rrafshe kryesore: ngjarja, personazhi dhe rrëfimi, ku pikë referimi bëhet vlera letrare dhe receptimi kritik i filleve të prozës moderne shqipe, kuptohet me autorët kryesorë të saj.

Vepra ime e radhës në fushën e studimeve letrare është Enigma e shkrimit (2018), e cila përbëhet nga ese, trajtesa dhe studime të shkruara këtu e njëzet vjet më parë. Në këtë vepër janë studiuar veprat e disa autorëve dhe çështje dhe probleme letrare të diskutueshme, modele krijuese, koncepte mbi letër­sinë, duke filluar nga periudha e romantizmit shqiptar e deri te letërsia e sotme shqipe.

Në radhë të parë, poezia, proza, kritika, të shkruara e të botuara nëpër faza dhe periudha të ndryshme të zhvillimit të letërsisë shqipe, janë bërë objekt i interpretimit dhe vlerësimit, me qëllim të njohjes, studimit dhe funksionalizimit të tyre në raport me treguesit e komunikimit letrar. Në këtë libër është bërë trajtimi i temave dhe fenomeneve letrare përmes kriterit vlerësues dhe kriterit estetik, para së gjithash, për të eviden­tuar dhe konceptuar veçori të reja kuptimore midis krijimit letrar dhe mendimit kritik. Pra, këtu janë trajtuar edhe çështje dhe fenomene aktuale të letërsisë shqipe, duke problematizuar diskursin e saj brenda pikëpyetjeve e këndvështrimeve, por edhe debateve që kanë për qëllim kryesor nxitjen e dialogut për sugjerime dhe propozime për leximin dhe receptimin e letërsisë. Gjithashtu, në veprën Esenca e ligjërimit letrar (2020) kam trajtuar vepra të autorëve të letërsisë shqipe, por edhe të letërsisë botërore.

Shumica e veprave të autorëve të lartpërmendur më pëlqejnë, madje disa prej tyre vazhdoj t’i kem edhe shkrimtarë të pëlqyer. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme për një lexues, sidomos për shijen e tij, që t’i ketë shkrimtarët e vet të pëlqyer, por edhe t’i njohë premisat kryesore të letërsisë që ndërlidhen me veprat e tyre.

 

(Marrë nga numri i 11-të i revistës “Akademia”. Vijon në numrat e ardhshëm të gazetës. © “Armagedoni”. https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/07/Epoka-17-korrik-2021.pdf).

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Erling Haaland kishte një lidhje të veçantë me Jadon Sancho.…