Numri i gazetarëve të vrarë në nivelin më të ulët në 16 vjet

17 dhjetor 2019 | 13:40

Organizata e Reporterëve pa Kufij ka deklaruar se gazetaria mbetet një “profesion i rrezikshëm”, me 49 gazetarë të vrarë këtë vit, 389 të burgosur dhe 57 të tjerë pengje.

Organizata me seli në Paris, që monitoron lirinë e medieve, ka publikuar të martën raportin vjetor.

Në këtë raport është thënë se numri i gazetarëve të vrarë në vitin 2019 është “në nivelin më të ulët në 16 vjet”.

Shifra “historikisht e ulët”, krahasuar me një mesatare vjetore prej 80 gazetarësh të vrarë gjatë dy dekadave të fundit, është kryesisht rezultat i rënies së numrit të gazetarëve të vrarë në zona të luftës, thuhet në raport.

“Gjithsej, 17 gazetarë janë vrarë duke mbuluar konfliktet në Siri (10), Afganistan (5) dhe Jemen (2) – krahasuar me 34 vitin e kaluar”, ka theksuar raporti.

Megjithatë, numri i të vrarëve në vendet “në paqe” mbetet aq i lartë sa edhe vitet e kaluara, 10 gazetarë të vrarë u regjistruan vetëm në Meksikë.

Raporti ka theksuar se sivjet, 389 gazetarë kanë përfunduar në burg, 12 për qind më shumë se vitin e kaluar.

Gati gjysma e tyre janë burgosur vetëm në tre vende: Kinë (120), Egjipt (34) dhe Arabi Saudite (32).

Deri më 1 dhjetor, 57 profesionistë të medieve kanë qenë duke u mbajtur si pengje, kryesisht në Siri (30), Jemen (15), Irak (11) dhe Ukrainë (1).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania amerikane Boeing ka bërë me dije se do të…