Nxënësja Luna Beqa fiton vendin e parë në Teknologji në garat ndërkombëtare në Dubai
Nxënësja e shkollës ISP, Luna Beqa, e cila ështa vajza e ish-deputetit të PDK-së, Hajdar Beqa, ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në garat Ndërkombëtare të mbajtura në Dubai, duke rrëmbyer vendin e parë në fushën e Teknologjisë — një arritje që ka mbushur me krenari familjen, shkollën dhe të gjithë ata që besojnë në potencialin e të rinjve.
Lajmi është bërë i ditur nga familjarët përmes një postimi emocionues në rrjetet sociale, ku kanë ndarë gëzimin dhe krenarinë për suksesin e saj.
Ata theksuan se kjo fitore nuk është vetëm një medalje, por pasqyron përkushtimin e palodhur, seriozitetin dhe guximin e Lunës për t’u përballur me sfida të mëdha në një konkurrencë ndërkombëtare.
“Sot në Garat Ndërkombëtare në Dubai, Luna mori vendin e parë në Teknologji. Kjo fitore mban brenda përkushtimin e saj, seriozitetin me të cilin e merr çdo detyrë dhe guximin për të dalë përpara sfidave pa u tërhequr,” thuhet në postim.
Suksesi i saj është më shumë se një çmim — është dëshmi se talenti, puna dhe ëndrrat e mëdha nuk njohin kufij. Në mesin e pjesëmarrësve nga vende të ndryshme të botës, Luna arriti të dallohet si një nga talentet e reja më premtuese në teknologji, duke u bërë frymëzim për bashkëmoshatarët e saj dhe krenari për Kosovën.



