Objektivi i policisë, luftimi i krimit dhe korrupsionit

28 janar 2019 | 12:32

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka bërë me dije se janë marrë një sërë masash për parandalimin e vjedhjeve dhe plaçkitjeve.

Ai ka thënë se policia është duke identifikuar kryerësit e këtyre veprave penale dhe së shpejti do t’i sjellë para drejtësisë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Qalaj ka thënë se luftimi i krimit dhe korrupsionit është objektivi kryesori i policisë.

Sipas tij, luftimi i krimit dhe korrupsionit duhet të bëhet për të ardhmen e vendit dhe jo për shkak të liberalizimit të vizave dhe integrimeve evropiane.

Qalaj ka kërkuar ndihmën e institucioneve që Policia e Kosovës të bëhet sa më shpejt me sigurim shëndetësor dhe sigurim jetësor.

Ai ka bërë me dije se Policia e Kosovës edhe këtë vit do të bëjë përpjekje për t’u anëtarësuar në Interpol

“Epoka e re”: Z. Qalaj, kohët e fundit janë shtuar vjedhjet dhe plaçkitjet, madje si pasojë e tyre ka pasur edhe viktima. Çfarë masash po ndërmerrni për t’i parandaluar këto dukuri?
Qalaj: Muaji dhjetor ka qenë i ngarkuar me një numër të madh të grabitjeve në nivel vendi, sidomos në Prishtinë. Fatkeqësisht, në njërën rast ka pasur edhe viktima, një zyrtar policor dhe një kryes i veprës penale kanë humbur jetën. Ky është dëm i madh për shtetin dhe popullin e Kosovës. Në disa incidente të tjera ka pasur edhe shkëmbim zjarri në mes të kryerësve të veprave penale dhe policisë, por nuk ka pasur pasoja në njerëz, mirëpo janë dëmtuar bizneset e ndryshme dhe institucionet mikrofinanciare. Policia është duke bërë të pamundurën që këto dukuri t’i parandalojë. Kemi pasur shumë aktivitete policore, me ç’rast një numër i madh i grabitësve janë arrestuar. Gjatë këtij muaji ka pasur numër më të vogël të grabitjeve në nivel vendi sepse janë shtuar aktivitetet policore, përveç njësive të rendit, janë angazhuar edhe njësitë speciale dhe të reagimit të shpejtë, ku ka pasur arrestime në disa komuna. Është shqetësuese kur dikush të hyjë në shtëpi, madje edhe me maskë dhe, përveç dëmit material, dëmi më i madh është frika që shkaktohet tek anëtarët e familjes apo edhe te punëtorët e bizneseve. Prandaj jemi duke bërë të pamundurën që t’i mbulojmë sa të mundemi akset rrugore dhe lokacionet afër dyqaneve. Jemi duke operuar afër bankave, mirëpo në pakufi fizikisht nuk mund t’i mbulojmë ato, por po bëjmë përpjekje që t’i identifikojmë personat që po i kryejnë këto vepra dhe t’i dërgojmë para drejtësisë.

“Epoka e re”: Jo të gjithë kryerësit e këtyre veprave po arrestohen, disa prej tyre kanë dalë jashtë vendi dhe po bëjnë ‘hajgare’ me policinë.
Qalaj: Policia është në operim e sipër për t’i kapur ata. Mund të ketë vonesa, por drejtësisë nuk mund t’i ikësh. Them me përgjegjësi të plotë se ata shumë shpejt do të arrestohen. Çdokush që kryen vepra penale nuk mund të fshihet në asnjë vend sepse kudo që shkon, policia vepron, prandaj shumë shpejt do të arrestohen nga policitë në vendet ku ndodhen.

“Epoka e re”: Duhet të rritet lartësia e dënimit për vjedhje e grabitje në mënyrë që të zvogëlohet numri i këtyre veprave?
Qalaj: Në Kodin Penal është përcaktuar ndëshkimi dhe lartësia e dënimit me burg. Policia i arreston, por është në autoritetin e gjyqtarit që ta përcaktojë lartësinë e dënimit. Natyrisht se lartësia e dënimit mund të ndikojë meqë çdokush kur planifikon të bëjë diçka e llogaritë edhe koston. Në këtë rast secili që planifikon të kryejë ndonjë vepër të kundërligjshme paraprakisht do t’i llogaritë pasojat që mund t’i ketë.

“Epoka e re”: Këto zhvillime kanë krijuar ndjenjën e pasigurisë?
Qalaj: Në Kosovë ka siguri, mirëpo në çdo shoqëri demokratike ka individë që kryejnë vepra të ngjashme. Nëse e analizojmë situatën e sigurisë në rajon, Kosova është shumë më e sigurt në të gjitha aspektet sesa vendet përreth. Ju e shihni se çfarë ndodh brenda 24 orëve në vendet fqinje. Fatmirësisht, nuk kemi vepra të vrasjeve të rënda siç ndodhin në Shqipëri, Serbi etj. Megjithatë, për Kosovën janë shqetësuese këto vepra penale që po ndodhin, mirëpo besoj se në të ardhmen do të jemi edhe më të suksesshëm që t’i parandalojmë. Madje situata veç ka filluar të përmirësohet.

“Epoka e re”: Vendimi për legalizimin e armëve do të mund të ndikojë në rritjen e sigurisë, ndonëse deri më tani vetëm 208 qytetarë kanë aplikuar për t’i legalizuar armët?
Qalaj: Ky vendim është shumë i rëndësishëm dhe i qëlluar por, fatkeqësisht, nuk ka përgjigje adekuate nga qytetarët. Është me rëndësi që numri i armëve që është në posedim të qytetarëve të jetë i kontrolluar. Mirëpo ende mungon vetëdija në shoqërinë tonë për t’i legalizuar armët.

“Epoka e re”: Shqetësuese vazhdon të mbetet edhe siguria në trafik dhe në këtë drejtim nuk po kanë efekt as gjobat e larta.
Qalaj: Është fakt se gjendja në trafik është shumë shqetësuese. Nga paslufta ka pasur shumë viktima në rrugët e Kosovës dhe, për fat të keq, ky trend është duke vazhduar. Vetëm me gjobitje nuk mund të arrihet rezultati i dëshiruar, ndonëse ka rezultat. Çështjen e trafikut duhet ta analizojmë si tërësi dhe duhet të angazhohemi si institucione. Në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit është formuar një Këshill Shtetëror për Sigurinë në Komunikacion dhe ky projekt do të fillojë të implementohet shumë shpejt në të gjitha rrugët kryesore të vendit. Ndër të tjera, do të bëhet edhe vendosja e kamerave me blic që do të masin shpejtësinë, sinjalistika do të përmirësohet, si dhe do të ketë shtim të patrullimit të policisë. Ka nevojë të forcohet regjimi i marrjes së patentëshoferëve si dhe të forcohet regjimi i kontrolleve teknike të automjeteve, në mënyrë që ta kemi gjendjen më të mirë të sigurisë në trafik. Duhet të fokusohemi edhe te përdorimi i telefonave dhe vendosja e rripit të sigurisë. Rrugët i kemi shumë më të mira sesa në të kaluarën dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit do të bëjë përmirësime të sinjalizimit vertikal dhe horizontal. Por, duhet të punojmë edhe për edukimin e qytetarëve nëpër shkolla meqë numri më i madh i të vdekurve janë këmbësorët. Këmbësorët duhet të jenë të kujdesshëm në vendet ku parashihet kalimi i tyre. Trafiku është një kaos i vërtetë, por të gjitha institucionet duhet të angazhohemi për ta përmirësuar gjendjen. Gjithashtu, duhet të organizohen fushata vetëdijësuese në vazhdimësi.

“Epoka e re”: Policia e Kosovës edhe më tutje vazhdon të mos ketë sigurim shëndetësor dhe jetësor. Kush po e pengon këtë proces?
Qalaj: Kjo çështje është debatuar shumë, por është zotim i Qeverisë që Policia e Kosovës të ketë sigurim shëndetësor. Sipas informatave, shërbimi shëndetësor vetëm për policinë nuk mund të bëhet, meqë është në sistem dhe duhet të rregullohet për të gjithë. Duke pasur parasysh natyrën e punës dhe rrezikun me të cilin ballafaqohet policia, është shumë e rëndësishme që të ketë sigurim shëndetësor dhe sigurim jetësor. Prandaj do të ishte mirë që Policia e Kosovës qysh sot ta ketë sigurimin shëndetësor dhe sigurimin jetësor. Kjo nuk varet nga ne, por ka implikime buxhetore. Megjithatë, do të bëj përpjekje që t’i bind vendimmarrësit që të bëjnë sa më shpejt sigurimin shëndetësor dhe jetësor për policinë.

“Epoka e re”: Si po ecën procesi i rekrutimit të policëve të rinj të cilët po e ndjekin trajnimin në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike?
Qalaj: Të premten që lamë pas i kam vizituar kadetët e rinj nga të cilët kam kërkuar të angazhohen për përmbushjen e kërkesave të instruktorëve trajnues. Qëndrimi i tyre në akademi do të jetë i vështirë sepse ata duhet të forcohen dhe kaliten në mënyrë që nesër kur të dalin në terren të jenë të përgatitur për t’i shërbyer vendit. Unë u emocionova kur i pashë dhe është fat i madh që kemi një rini të mirë dhe të interesuar për të punuar në Policinë e Kosovës. Kemi pasur një proces të rekrutimit me integritet shumë të lartë. Planifikojmë që pas ardhjes së kësaj gjenerate nga Akademia Policore do ta dërgojmë edhe gjeneratën tjetër me 400 kadetë. Për këtë vit planifikojmë t’i trajnojmë 800 kadetë që do të jetë një përfshirje e mirë për policinë dhe në mbështetje për një ambient sa më të qetë. Ardhja e kësaj gjenerate do ta zbuste shumë situatën sa i përket personelit në Policinë e Kosovës. Edhe gjenerata tjetër do ta kompletojë policinë sa iu përket burimeve njerëzore. Nëse kemi fat që Ligji për pensionim të parakohshëm të kalojë në Qeveri dhe Kuvend, e tërë lista në pritje do të absorbohet meqë do të kemi nevoja shtesë.

“Epoka e re”: Keni marrë premtime se do të miratohet shpejt ky ligj dhe a keni shifër sa policë do të pensionohen?
Qalaj: Aktualisht nuk e kam shifrën. Jemi të interesuar që Ligji për pension të parakohshëm të kalojë pa implikime të mëdha buxhetore. Ky ligj duhet të implementohet në disa faza, pra për dy, tri, katër apo pesë vjet. Besoj se do ta gjejmë një zgjidhje. Ministri i Financave që kujdeset për kuletën e shtetit jo që nuk ka dëshirë ta mbështesë këtë proces, mirëpo ka implikime të mëdha buxhetore. Për këtë arsye duhet të gjejmë një modalitet që ligji të kalojë, por të mos jetë barrë e madhe e buxhetit. Jemi të interesuar që implementimi i këtij ligji të bëhet gradualisht në mënyrë që t’i zëvendësojmë kolegët që pensionohen.

“Epoka e re”: Jeni i kënaqur me bashkëpunimin në mes të institucioneve të sigurisë brenda dhe jashtë vendit?
Qalaj: Bashkëpunojmë mjaft mirë me FSK-në, AKI-në dhe me partnerët ndërkombëtarë. Kemi bashkëpunim të shkëlqyer me policinë shqiptare dhe jemi në rrugë të mirë për bashkëpunim edhe me policinë maqedonase. Së shpejti do ta kemi një ushtrim të përbashkët të njësive speciale të Policisë së Kosovës, njësive speciale të Policisë së Maqedonisë dhe njësive speciale të Policisë së Shqipërisë në Shkup. Ende jemi duke punuar për skenarin e ushtrimit, por është hera e parë që këto tri polici do të ushtrojnë bashkërisht. Ushtrimet do të vazhdojnë në Shqipëri, në Kosovë dhe synojmë ta inkuadrojmë edhe Policinë e Malit të Zi në mënyrë që ta rrisim bashkëpunimin rajonal.

“Epoka e re”: Pavarësisht prej pritjeve, Kosova nuk arriti të bëhet pjesë e Interpolit. Do të ketë aplikim edhe këtë vit?
Qalaj: Jemi në fazën finale për të vendosur për të aplikuar apo jo. Aplikimi duhet të bëhet deri në fund të muajit janar. Policia e Kosovës nuk është anëtare e Interpolit jo për shkak të profesionalizimit, por për arsye gjeopolitike dhe të lobimit të Serbisë e aleatëve të saj. Sa më shpejt që është e mundur duhet të jemi pjesë e Interpolit. Nuk është vetëm interes i Policisë së Kosovës, por interes i vet Interpolit. Kam dëgjuar një deklaratë të zëvendëskryeministri se Kosova do të aplikojë këtë vit për anëtarësim në Interpol. Jemi duke e bërë një analizë të brendshme dhe është në rregull që të aplikojmë.

“Epoka e re”: Cili do të jetë prioriteti kryesor për këtë vit?
Qalaj: Kosova ka ligje të mira, ndoshta më të mirat në rajon. Ndryshimet në Kodin Penal u mundësojnë policisë, prokurorisë dhe gjyqësisë t’i luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ky është objektivi kryesor i policisë dhe organeve të tjera të rendit sepse e ardhmja e vendit varet nga luftimi i krimit dhe korrupsionit. Fokusi ynë do të jetë luftimi i korrupsionit, i krimit të organizuar, krimit kibernetik, ekstremizmit dhe terrorizmit. Prej se kam ardhur në krye të Policisë së Kosovës kemi arrestuar një numër të madh të zyrtarëve nëpër të gjitha nivelet, pra zëvendësministra, inspektorë të ATK-së, personel të Ministrisë së Shëndetësisë. Do të jemi të pamëshirshëm dhe nuk do të bëjmë dallim. Kudo që kemi fakte do të veprojmë. Do t’i luftojmë krimin dhe korrupsionin për të ardhmen e vendit, e jo për shkak të liberalizimit të vizave dhe integrimeve evropiane.

Shqipe HETEMI

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë për agjencinë e…