O’Brien, figura kryesore pas takimit Kosovë – Serbi

18 gusht 2020 | 08:11

Më 2 shator, në takimin e planifikuar në mes të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, nikoqir do të jetë Robert O’Brien, këshilltar për siguri kombëtare i presidentit Trump. Këshilltari për siguri kombëtare i presidentit Trump, Robert O’Brien, ftoi kryeministrin Avdullah Hotin dhe presidentin Serb, Aleksandër Vuçiq, për rrethin e ri të bisedimeve nën përkujdesjen amerikane.

Në njoftimin nga zyra e O’Brien thuhet se në këtë takim do të flitet për çështje ekonomike sepse vetëm kështu mund të shkohet drejt paqes.

Tema e diskutimit është konfirmuar edhe nga Shtëpia e Bardhë.

Sipas amerikanëve, në takimin e 2 shtatorit do të flitet vetëm për çështje ekonomike, ndërkaq Robert O’Brian, këshilltar për siguri i presidentit Trump, do të jetë nikoqir i palës së Kosovës dhe asaj serbe, shkruan Klan Kosova.

“Shtetet e Bashkuara mezi presin këto diskutime të rëndësishme ndërmjet kryeministrit Hoti dhe presidentit Vuçiq. ShBA-ja beson se përparimi në çështjet ekonomike është kyç në avancimin e procesit të paqes”, u tha nga zyra e Robert O’Brien.

Këshilltari më me peshë për siguri i presidentit Trump kishte përgatitur terrenin për mini-samitin Kosovë – Serbi javë më parë kur ai qëndroi në Evropë. Ai ishte takuar me këshilltarët kryesorë të kancelares gjermane Angela Merkel e të presidentit francez Emmanuel Macron, ku e bëri të qartë planin e ShBA-së që të shkohet me ujdi ekonomike mes Prishtinës dhe Beogradit.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë konfirmuar se i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për takim në Shtëpi të Bardhë më 2 shtator. Të dy liderët kanë thënë se në këtë takim do të bisedohet për çështje ekonomike. Megjithatë, dialogu mes këtyre dy shteteve ka rinisur më 16 korrik në Bruksel. Ky proces, që ndërmjetësohet nga pala evropiane, ka nisur më 2011. Ai ishte bllokuar nga nëntori i vitit 2018, pasi autoritetet e Kosovës patën vënë taksë në mallrat serbe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja Blerta Deliu-Kodra ka thënë se PDK-ja nuk do të…