OBSh-ja paralajmëron dështimin e COVAX

23 shkurt 2021 | 11:36

Marrëveshjet shtesë për të siguruar stoqe vaksinash nga vendet e pasura po dëmtojnë programin COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që është ngritur për të ndihmuar vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta.

Paralajmërimi për dështimin e programit COVAX erdhi nga kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus. Ai hodhi akuza të forta për vendet e pasura që me këmbënguljen e tyre u drejtohen drejtpërdrejtë prodhuesve për të pasur sa më shumë doza vaksinash.

“Aktualisht, disa vende të pasura kanë kontaktuar prodhuesit për të siguruar doza shtesë të vaksinave anti-COVID-19, gjë që po ndikon kontratat e tyre me COVAX-in. Numri i dozave të përcaktuara për COVAX-in është zvogëluar për shkak të kësaj qasjeje,” tha Ghebreyesus.

Programi COVAX u krijua nga OBSH-ja për të parandaluar vendet e pasura që të monopolizojnë të gjitha dozat e vaksinave që prodhohen ende në sasi shumë të vogla dhe nuk plotësojnë kërkesën globale.

COVAX është një mekanizëm financimi i 92 vendeve me të ardhura të mesme dhe ulëta dhe synon t’u sigurojë vaksina për të paktën 20 për qind të popullsisë.

Anëtare e COVAX-it është edhe Shqipëria që ka parapaguar 3.99 milionë dollarë për vaksinën anti-Covid19. Me këtë shumë do të blihen 1,140,000 doza vaksinash për të vaksinuar 570 mijë vetë ose rreth 20% të popullsisë.

Më herët ishte kreu i OKB-së Antonio Guterres që dha alarmin e marrjes së vaksinave vetëm nga vendet e pasura ndërsa 130 vende nuk kanë marrë asnjë dozë vaksinash. Udhëheqësit e G7-s gjatë samitit të tyre të fundit u angazhuan të shtojnë ndihmën ndaj vendeve të varfra në mënyrë që pandemia të përfundojë sa më shpejt.

Vetëm SHBA-ja u zotua të japë 4 miliardë dollarë shtesë për programin COVAX./tvklan/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër nga kjo…