OBSh: Kosova të përgatitet për përballje me koronavirusin

02 prill 2020 | 08:13

Drejtori ekzekutiv i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Michael Ryan, ka kërkuar nga shteti i Kosovës që të bëhet gati sa më shpejt për ta përballuar eskalimin e situatës me pandeminë COVID-19.

Krerët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) kanë mbajtur dje konferencën e rregullt për gjendjen me virusin SARS-CoV-02 në botë. Pas fjalës së drejtorit të përgjithshëm Dr. Tedros Adhanom, drejtuesit e OBSh-së janë përgjigjur në pyetjet e gazetarëve nga vende të ndryshme të botës. Në përgjigjen e tij, drejtori ekzekutiv i OBSh-së, Michael Ryan, ka thënë se sistemi shëndetësor në Kosovë është ende në gjendje të vështirë. Ai ka treguar se ka qenë në vendin tonë për disa muaj për ta ndihmuar ndërtimin e sistemit. “Kosova është një vend që ka dalë prej një situate të vështirë dhe tani është duke rindërtuar sistemin e ofrimit të shërbimeve. Kam qenë për disa muaj në Kosovë për ta ndihmuar ndërtimin e sistemit shëndetësor. Jam në dijeni për sfidat dhe vështirësitë që qytetarët e Kosovës janë përballur në vitet e fundit. Sistemi shëndetësor në Kosovë ka ende dobësi, por ka shumë profesionistë të përkushtuar dhe shumë punëtorë. Por duhet të sigurohemi se mbikëqyrja e rasteve është e mirë. Kosova duhet të ketë një sistem aktiv të detektimit të rasteve dhe t’i shtojë mundësitë për ta përballuar situatën”, ka deklaruar Ryan, shkruan gazeta “Shneta”.

Ai i ka bërë thirrje Kosovës që të ndërmarrë hapa të shpejtë për t’u përgatitur në rast se situata me koronavirus eskalon. “Kosova dhe Shqipëria janë pas ujit, afër me Italinë, një prej vendeve më të prekura nga epidemia në botë dhe është shumë me rëndësi që vendet e Ballkanit, në veçanti Kosova, duhet të ndërmarrë hapa të shpejtë që të jetë e gatshme ta përballojë situatën me virusin pasi mund të përkeqësohet. Për fund, përshëndetjet më të ngrohta nga unë për kolegët në Kosovë”, është shprehur Ryan.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas takimeve të djeshme konsultative me kryetarë të partive politike,…