Oda Amerikane diskuton me drejtuesit e institucioneve kyçe të drejtësisë për fuqizimin e sundimit të ligjit

29 tetor 2025 | 11:15

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë zhvilloi një takim me ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit Besim Kelmendi dhe kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, për të diskutuar përpjekjet e vazhdueshme për forcimin e sundimit të ligjit dhe garantimin e sigurisë juridike për investitorët.

Të dy zyrtarët ndanë perspektiva të vlefshme mbi transparencën gjyqësore, zgjidhjen e drejtë dhe të shpejtë të rasteve, si dhe luftimin e korrupsionit në sektorin publik dhe privat.

Ata rikonfirmuan përkushtimin e tyre për vazhdimin e dialogut me Odën Amerikane përmes kanaleve formale të komunikimit dhe inkurajuan bizneset të përdorin mekanizmat zyrtarë për adresimin e shqetësimeve dhe raportimin e rasteve.

Drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, theksoi se Oda Amerikane ka qenë dhe mbetet një promovuese e vazhdueshme e sundimit të ligjit si gur themeli për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe klimë të besueshme investimi.

Ndërkaq, Korab Sejdiu, kryesues i Komitetit të Shërbimeve Financiare dhe Klimës Investuese të Odës Amerikane, nënvizoi rëndësinë e trajtimit të rasteve specifike që kërkojnë vëmendjen e institucioneve të drejtësisë për ndërtimin e një besimi më të madh në sistem.

Gjatë takimit u vlerësua edhe progresi i arritur ndër vite nga institucionet e drejtësisë në Kosovë, si një hap pozitiv drejt forcimit të llogaridhënies dhe rritjes së besimit të komunitetit të biznesit.

Gjatë diskutimit, përfaqësuesit e sektorit privat shprehën shqetësimet e tyre lidhur me aspekte të ndryshme të funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe ndikimin e tij në mjedisin e biznesit.

Oda Amerikane rikonfirmoi gatishmërinë e saj për të mbështetur nisma që synojnë forcimin e sundimit të ligjit, promovimin e llogaridhënies dhe garantimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë në vend.

Gjatë takimit u vlerësua gjithashtu edhe progresi i arritur ndër vite nga institucionet e drejtësisë në Kosovë, si një nxitje për vazhdimin e përparimit në forcimin e sundimit të ligjit dhe ndërtimin e besimit të komunitetit të biznesit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Togeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Florent Korrani,…