Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë: ZRrE-ja ta ndërpresë procesin e liberalizimit të tregut

04 qershor 2025 | 14:54

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) i ka bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) që ta ndërpresë urgjentisht procesin e liberalizimit të tregut të energjisë derisa të përmbushen parakushtet thelbësore.

“Paralajmërimet e përfaqësuesve të sektorit privat tashmë po bëhen realitet, meqë pak ditë prej kur ka hyrë në fuqi liberalizimi i tregut, të paktën dy kompani prodhuese kanë njoftuar pezullimin e operacioneve, duke përmendur kostot e energjisë elektrike dhe paqëndrueshmërinë e krijuar si arsye kryesore, ndërsa institucionet shtetërore janë informuar për këto zhvillime. Kjo konfirmon se liberalizimi, siç ka nisur të zbatohet, nuk është vetëm i parakohshëm, por po dëmton edhe aktivitetin ekonomik të Kosovës dhe klimën e investimeve”, është thënë në reagimin e OEAK-ut,

Oda Amerikane ka thënë se derisa liberalizimi mbetet një domosdoshmëri strategjike në rrugën e Kosovës drejt integrimit rajonal dhe në BE në fushën e energjisë, ka bërë thirrje që tranzicioni të menaxhohet me përgjegjësi, transparencë dhe me përgatitje nga gjitha palët.

“Deklarimet e publikuara dje në mediat e Kosovës e që u atribuohen Bashkimit Evropian theksojnë qartazi këtë pikë: liberalizimi duhet të jetë gradual dhe i menaxhuar në një mënyrë që minimizon çrregullimet sociale dhe ekonomike. Ashtu siç është thënë disa herë nga Oda Amerikane dhe nga hisedarët e tjerë që përfaqësojnë interesat e sektorit privat, liberalizimi ka ndodhur pa përmbushjen e kritereve të nevojshme të tregut, në kushte të konkurrencës së kufizuar në aspektin e furnizimit, duke vendosur një barrë të papërballueshme mbi bizneset e mëdha”, është thënë në këtë reagim.

Oda Ekonomike Amerikane ka bërë thirrje që ZRrE-ja të marrë masa të menjëhershme korrigjuese dhe ta ndërpresë procesin e liberalizimit derisa të krijohet një treg funksional dhe konkurrues dhe derisa të vendosen masa mbështetëse kalimtare.

Nga 1 qershori bizneset me qarkullim mbi 10 milionë euro apo me më tepër se 50 punëtorë, kanë dalë në tregun e lirë të energjisë elektrike.  Bizneset kanë kundërshtuar vendimin, duke thënë se i sjellë buzë falimentimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur…