Oda Ekonomike shpreh shqetësimin për tarifat e pagesës në “Rrugën e Kombit”

13 shtator 2018 | 18:16

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), përmes një reagimi për media e shpreh shqetësimin e saj përkitazi me taksën rrugore për rrugën e kombit.

“Kjo temë e cila është shtjelluar nga ta edhe me përfaqësues institucionalë të Qeverisë së Shqipërisë, respektivisht ministrin e Energjisë dhe Infrastrukturës Damian Gjiknuri dhe Ministrin e Financave Arben Ahmetaj në qershor të këtij viti. Gjatë takimit në fjalë janë diskutuar tri opsione të ndërlidhura me aplikimin e kësaj takse rrugore: 1) shtyrjen e aplikimit (gjë që është realizuar); 2) klasifikimin e bizneseve nga Kosova si biznese nga Kukësi apo llogaritje si komitet lokal; dhe 3) ofrimin e një zbritjeje prej 50% për bizneset nga Kosova”,  ëshët thënë në njoftimin për media të këtij institucioni.

Sipas OEK-ut, bazuar në Nenin 4 dhe 5 të Ligjit Nr. 2004/7 për Odën Ekonomike të Kosovës dhe Nenin 3 dhe 10 të Statutit të Odës Ekonomike të Kosovës, Oda Ekonomike e Kosovës është e mandatuar që të përfaqësoj interesat e anëtarëve të saj pranë institucioneve publike, rrjedhimisht të kërkoj mbështetje në zgjidhjen sa më të shpejt dhe korekte të problematikave të paraqitura nga bizneset dhe shoqatat nën ombrellën e vet. “Me të mësuar se riaplikimi i taksës rrugore do të fillojë nga 17 shtatori, Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve, pjesë e Odës Ekonomike të Kosovës, ka kërkuar riaktualizim të përshpejtuar të çështjes në fjalë duke marrë parasysh se vetëm një nga tri opsionet e diskutuara në takim me ministrat është realizuar. Shoqata në fjalë numëron mbi 350 operatorë me mbi 1000 autobus. Sipas informatave të ofruara, jashtë sezonës së verës në muajt Shtator-Prill rreth 20 autobus udhëtojnë nga Kosova për në Shqipëri çdo ditë, kurse gjatë sezonës së verës rreth 80-100 autobus çdo ditë, duke mos llogaritur vikendet në asnjërën nga këto shifra. Po të aplikohej taksa e rregullt për çdo udhëtim nga operatorët kosovar, atëherë kjo do të rrezultonte në shifër marramendëse dhe të papërballueshme financiarisht. Së këtejmi, turizmi i ofruar nga Kosova për Shqipëri nuk është faktor konstant, në të kundërtën, i duhet ofruar kujdes të shtuar dhe konsideratë më të lartë në mënyrë që të vazhdon interesimi i operatorëve kosovar për t’i mbajtur këto linja ditore operacionale”, është thënë në komunikatë, duke u shtuar se shqetësim me çmimin e përcaktuar kanë shprehur edhe biznese të shumta të cilat shfrytëzojnë rrugën e kombit për transport të derivateve, mallrave dhe produkteve të ndryshme. Nëse i shikojmë veçmas, një kompani e derivateve nga Kosova lëviz 15-20 auto cisterna për në Shqipëri dhe anasjelltas në baza ditore, kurse gjatë sezonës së verës ky numër rritet deri ne 20-30 brenda një dite. “Me tu obliguar bizneset kosovare për pagesë aq të lartë për hyrje dhe dalje, opsionet e parashikueshme do të jenë dy: 1) zvogëlimi i dukshëm i linjave turistike për në Shqipëri dhe 2) gjetja e rrugëve alternative për transport të mallrave, sidomos kur jemi aq afër me përfundim të autostradës për në Shkup e cila nuk ka taksë të aplikueshme. Andaj, kërkojmë bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në riaktualizim të çështjes në mënyrë që të mos zihen befas udhëtarët dhe operatorët në Kosovë, duke filluar sezonin e vjeshtës me asnjë ndryshim në favor të bashkëpunimit kombëtar. Përkitazi me këtë shqetësim vlen të theksohet se taksa në aplikim do të duhej të llogaritej si taksë për përdorimin e tunelit jo për përdorim të autostradës, pasi që kemi të bëjmë me autostradë tip të hapur jo të mbyllur -me qasje të shumta nga qytetëzat në vazhdimësi të rrugës”, është thënë në komunikatë, duk u shtuar se po ashtu, autostrada nuk është e finalizuar dhe si e tillë vazhdon të ketë probleme të shumta teknike të cilat nuk do ta arsyetonin shumën e caktuar në asnjë rrethanë. “Besojmë se një takim i dytë me përfaqësues të institucioneve të Republikës së Shqipërisë do të ishte rruga e duhur për ta adresuar shqetësimin në fjalë dhe për të rishikuar aplikimin e dy opsioneve tjera të diskutuara paraprakisht. Vazhdojmë të jemi të hapur për të dëgjuar mundësi të bashkëpunimit, duke përfshirë edhe mundësinë për pagesë të liruar mujore ose vjetore”, thuhet në komunikatën e OEK-ut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
John Terry mund të rikthehet si trajner i grupmoshave të…