
OEK-u: Do të vazhdojmë betejën ligjore ndaj ZRrE-së, mos të bëjë hapa të tjerë
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka paralajmëruar se do ta vazhdojë betejën ligjore ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE). Kjo pasi shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale ka vendosur në favor të ankesës së ZRRE-së për të ashtuquajturin “Treg të Lirë” të energjisë elektrike, ku preken 1 mijë e 300 bizneset prodhuese vendore.
OEK ka thënë se nuk do të ndalet në përpjekjet ligjore për të mbrojtur interesat e komunitetit të biznesit.
Shkalla e dytë siç raportojnë mediat, vendosi në favor të ankesës së ZRrE-së për të anuluar vendimin e shkallës së parë, e cila gjeti se ZRRE në mënyrë të kundërligjshme i ka vendosur 1 mijë e 300 biznese para një (f)akti të kryer të heqjes së tyre nga shërbimi universal i furnizimit me energji elektrike, duke i vendosur në tregun e lirë, pa u plotësuar as kushtet e krijimit e këtij tregu.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore në dispozicion, si ato të rregullta, ashtu edhe të jashtëzakonshme, për të sfiduar vendimin.
Ai ka nënvizuar se do të shqyrtohet mundësia e ngritjes së çështjes në Gjykatën Supreme dhe nëse është e nevojshme, edhe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
“Sa i përket vendimit të Gjykatës së shkallës së dytë që është marrë, që e ka anuluar masën e shkallës së parë të Gjykatës Komerciale, ne si Odë Ekonomike do të vazhdojmë betejën ligjore. Do t’i shfrytëzojmë të gjitha mjetet e rregullta dhe mjetet e jashtëzakonshme, do ta shohim mundësinë në Supreme. Por, deri në Kushtetuese do ta ndjekim çështjen, nuk do të ndalemi, në emër të bizneseve të cilat janë të detyruara me dhunë të dalin në tregun e lirë. Si vendim nuk e komentojmë, respektojmë, janë institucione të pavarura, do ta ndjekim betejën ligjore”, ka thënë Rafuna.
Përveç kësaj, Rafuna ka shprehur shqetësim serioz lidhur me pasojat që vendimi i shkallës së dytë i Gjykatës Komerciale, mund të ketë për bizneset vendore.
Ai ka theksuar se ky vendim do t’i dëmtojë bizneset, pasi pritjet kanë qenë ndryshe, pas vendimit të shkallës së parë, që kishte marrë parasysh interesin publik të Kosovës.
Rafuna ka përmendur protestat dhe bllokimin e rrugëve ndër hapat që mund të ndërmerren pas këtij vendimi.
“Me i dëmtu bizneset pa dyshim që do t’i dëmtojë sepse pritjet tona kanë qenë që do të vendosen në mënyrë të drejtë siç u vendos në gjykatën e shkallës së parë, duke u marrë për bazë interesi publik i Kosovës. Por, kërkojmë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike të mos bëjë veprime ose hapa të tjerë në mënyrë që t’i nxjerrë bizneset në rrugë për të protestuar apo për t’i bllokuar rrugët”, ka thënë Rafuna.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, kritikuar edhe mënyrën se si po zbatohet vendimi për kalimin e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike, duke e quajtur këtë proces të padrejtë dhe të detyruar.
Sipas Rafunës, ky vendim pritet të tkurrë prodhimin vendor, t’i detyrojë bizneset të largojnë punëtorë, si dhe të pengojë investimet e tyre të ardhshme në Kosovë.
“Është shumë e padrejtë dhe ne nuk pajtohemi asnjë moment me mënyrën siç po na nxjerr në tregun e hapur dhe mënyrën si po na urdhërojnë në mënyrë të detyrueshme të lidhim kontrata. Ne nuk kemi qenë kundër tregut të hapur dhe nuk jemi kundër tregut të hapur. Ne jemi për të dalur në treg të hapur por në një fazë të tranzicionit…Do t’i dëmtojë bizneset. Do ta tkurr prodhimin vendor, e dyta do t’i detyrojë bizneset të bëjnë riorganizim, në kuptimin që një pjesë të punëtorëve t’i largojnë prej pune, dhe e treta komplet është një ndërhyrje e padrejtë në plan e investimeve të bizneseve me qëllimin e investimeve në Kosovë”, ka thënë Rafuna.
“Kosovapress” ka kontaktuar përfaqësues për media në Gjykatën Komerciale por të njëjtit nuk janë përgjigjur lidhur me vendimin e shkallës së dytë. Ndërkohë, në ZRrE, kanë thënë se së shpejti do të dalin me një njoftim për media.
Me kalimin në tregun e lirë energjetik për bizneset që kanë mbi 50 të punësuar apo mbi 10 milionë euro qarkullim, çmimi i energjisë thënë më së paku, është trefishuar.
Kjo dëshmohet nga faturat e fundit të marra nga furnizimi me energji nga KEK-u, si furnizues i fundit.
E për shkak se vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ishte pa konsultim me bizneset dhe pa pajtim të tyre, këto të fundit e kanë kundërshtuar duke e dërguar në Gjykatën Komerciale këtë vendim, për të cilin shkalla e parë vendosi në favor të tyre.
Rritja e çmimit të energjisë si pasojë e vendimit të ZRrE-së, në dy muajt e fundit ka qenë e papërballueshme për prodhuesit.