
OEK-u: Gjykata Komerciale ka marrë një tjetër vendim për pezullimin e vendimit të ZRrE-së për treg të hapur
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka njoftuar për një tjetër aktvendim të Gjykatës Komerciale, e cila ka pezulluar vendimin e ZRrE-së për daljen në tregun e lirë të energjisë për kompaninë e radhës.
OEK-u ka thënë se ky vendim është sinjal i qartë për rëndësinë e mbrojtjes dhe respektimit të interesave të bizneseve që janë ndikuar nga ky vendim.
“Ky vendim është një sinjal i qartë për rëndësinë e mbrojtjes dhe respektimit të interesave të bizneseve që janë ndikuar drejtpërdrejt nga ky vendim. OEK-u ka qenë në vazhdimësi zë i shqetësimeve të komunitetit të biznesit, duke theksuar se mungesa e infrastrukturës, transparencës dhe përgatitjes për tregun e lirë të energjisë po rrezikon qëndrueshmërinë financiare dhe operacionale të shumë ndërmarrjeve vendore”, ka njoftuar OEK-u.
Më tutje, OEK-u i ka bërë thirrje ZRrE-së që ta anulojë vendimin për dalje në treg të lirë të energjisë.
“Oda Ekonomike e Kosovës i bën thirrje ZRrE-së që të anulojë vendimin për daljen e dhunshme në tregun e lirë të energjisë, në mënyrë që të mos dëmtohet konkurrenca, bizneset, qytetarët dhe ekonomia e vendit”, ka njoftuar OEK-u.