OEK-u: Lidershipi mos të na rrezikoj në agjendën politike dhe ekonomike

05 janar 2018 | 16:02

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), me anë të një komunikate për medie, ka apeluar tek institucionet e Kosovës, që mos të rrezikohet pozicioni ndërkombëtar i Kosovës dhe në kuadër të kësaj mos të neglizhohet agjenda ekonomike.

“Komuniteti i Biznesit, që në mënyrë legjitime përfaqësohet nga Oda Ekonomike e Kosovës, me shqetësim të thellë, është duke i përcjellur zhvillimet e fundit politike në vend, të cilat lidhen me përpjekjet për ndryshimin e qasjes ligjore dhe institcuonale në raport me Gjykatën Speciale si dhe zhagitjen dhe lojën e fjalëve që po vazhdon në raport me Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi”, thuhet në komunikatën e OEK.
Sipas kësaj komunikate, duke pasur parasysh një fazë të gjatë të jostabilitetit politik në vend, me një parlament të paralizuar nga gazi lotsjellës dhe me disa cilke të stërzgjatura zgjedhore, si dhe vonesa të paarsyeshme në formimin e institucioneve në nivel lokal dhe qendror, është besuar fuqishëm që përfundimisht e gjithë shoqëria dhe lidershipi i vendit do të angazhohen maksimalisht, për një koncenzus gjithëpërfshirës që zhvillimi ekonomik, si faktor kyç për stabilitetin në vend, në mënyrë që të jetë top prioritet për të gjithë vendimmarrësit. “Fatkeqësisht kjo nuk po ndodh ende dhe për më shumë, gjendja ekonomike ka tendencë të përkeqësohet, si rrjedhojë e izolimit në rritje të vendit tonë. Izolimi politik dhe ekonomik, sidomos deri në shpalljen e pavarësisë, ka lënë pasoja të mëdha për trendin e rritjes ekonomike në vend, duke pamundësuar të jemi në hap me vendet fqinje, sidomos sa i përket procesit të integrimeve evropiane. Rinia, shkencëtarët e rinj dhe bizneset, që janë shtyllat kryesore të zhvillimit të tashëm dhe të ardhshëm të shoqërisë tonë, kanë pësuar më së shumti nga izolimi i padrejtë i vendit tonë, që së fundmi më së shumti po i kontribuon klasa politike e vendit tonë”, thuhet në komunikatën e OEK.

Sipas kësaj komunikate, çdo tentativë për ndryshime sa i përket Gjykatës Speciale dhe çdo tentativë për kthim të demarkacionit në pikën zero është goditje direkte për zhvillimin ekonomik të vendit, më dëme të pariparueshme dhe ndikime të drejtpërdrejta në investimet e huaja dhe eksporte. “Për më shumë do të jetë sinjal i mjaftueshëm për ikjen e ndërmarrjeve ekzistuese që operojnë në Kosovë në vendet fqinje dhe ikje të fuqisë punëtore të kualifikuar në vende që ofrojnë mundësi shumë të mira për zhvillimin e tyre profesional. Gjithashtu e rrezikon realizimin e projektit me të madh investiv dhe mëshpresëdhënësekonomik, Termocentralit “Kosova e Re”. Apelojmë të institucionet dhe liderët e vendit të vendosin interesin shtetëror para çdo interesi tjetër dhe të marrin vendime të menduara mirë”, është thënë në komunikatën e OEK, duke u shtuar se Evropa dhe bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi, nuk janë për të ju përshtatur tekeve dhe interesave tona. “Nëse këtë vit nuk liberalizohen vizat, do të jetë e pamundshme të presim një gjë të tillë deri ne vitin 2020, pasi që viti 2019 është vit zgjedhor në Baskimin Evropian. Gjithashtu viti 2020 është krucial për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim ne BE, që do të ishte kulmi  i formësimit të shtetit tonë. Nëse vazhdojmë më qasjen vetizoluese të muajve të fundit, dëmet do t’i bartim me dekada”, përfundoi apeli i OEK.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova më 17 shkurt të këtij viti feston 10-vjetorin e…