Pozita dhe opozita “përplasen” me fjalë për të pagjeturit, për pak edhe fizikisht

19 nëntor 2020 | 15:47

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është kritikuar në Kuvend nga opozita, për përfshirjen e çështjes së të pagjeturve në marrëveshjen e Uashingtonit, pasi sipas saj, “kjo çështje është kushtëzuar me kthimin e personave të zhvendosur”.

“Në të njëjtin paragraf ku kaq keq trajtohet tema e të pagjeturve, është vendosur tema e të zhvendosurve dhe refugjatëve, madje këta cilësohen si të zhvendosur përbrenda duke barazuar dy kategori që nuk mund të barazohen. Kjo formë e trajtimit të të zhdukurve e dëmton shumë procesin dhe kjo nuk është mënyra se si dialogohet”, ka thënë propozuesja e interpelancës parlamentare për çështjen e të pagjeturve, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci.

Kryeministri Hoti Hoti është kundërpërgjigjur duke thënë se pyetja e parashtruar në interpelancë është plotësisht e pabazë, sepse askund nuk përdoret termi kushtëzim.

“Këtë term nuk mund ta gjeni në tekstin e marrëveshjes ose zotimeve dhe as në planin e zbatimit të marrëveshjes. Nuk bëhet fjalë për asnjë lloj kushtëzimi të këtyre çështjeve”, ka thënë Hoti.

Më tutje, Hoti ka thënë se nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare me Serbinë, pa përfshirjen në këtë marrëveshje të çështjes së të pagjeturve dhe të zhdukurve. Ai, po ashtu, e ndërlidhi gjetjen e fundit të mbetjeve mortore në Kizhevak të Serbisë, me zotimet e marra nga Uashington nga Serbia.

Tri orë të interpelancës janë karakertizuar me debat të ashpër që kaloj edhe në ofendime.

Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, e ka kritikuar kryeministrin Hoti për siç ka thënë “ barazimin e viktimave shqiptare me të zhvendosurit”.

Ky fjalim ka nxitur reagimin e kryeministrit Hoti, i cili e ka vlerësuar atë “një ndër fjalimet më të liga në këtë kuvend, prej se jam këtu deputet apo ministër përpara juve”.

Pas kësaj ka reaguar Nagavci, duke e cilësuar si “të lig dhe të dëmshëm nënshkrimin që kryeministri ka bërë në Uashington”.

Më pas, kryeministri Hoti ka lënë interpelancën, për t’u kthyer në qeveri, ku sipas zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj, kishte një bisedë virtuale me presidentin francez, Emmanuel Macron.

Por, një veprim i tillë ka acaruar edhe më shumë deputetët opozitarë. Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës, ka deklaruar se kryeministri “nuk po ka guxim që të merret me këtë çështje”.

“Çfarë ofensive diplomatike kemi filluar. Në Serbi janë gjetur eshtra të shqiptarëve. Mungesa e kryeministrit është neveritëse. Është dashur ta anulojë ose ta shtyjë këtë interpelancë”, ka thënë Ismaili.

Zëvendëskryeministri Selmanaj ka thënë se qeveria nuk po i ikën përgjegjësisë, pasi për këtë çështje ka raportuar në vazhdimësi.

“Diçka që nuk e keni bërë ju për 10 vjet, mos pritni që për 5 muaj ta bëjmë ne”, ka thënë ai.

Pas secilit fjalim të opozitës, shefi i grupit parlamentar të LDK-së Arben Gashi, ka reaguar duke thënë se “duhet t’iu vijë marre për shfrytëzimin e kësaj teme për qëllime politike”. Njëjtë ka vepruar edhe zëvendëskryeministri Selmanaj.

Debati ka eskaluar sërish në kohën kur në foltore, është paraqitur me fjalimin përfundimtar deputetja Saranda Bogujevci, që e ka thirrur këtë interpelancë. Ky fjalim është ndërprerë, pasi nga vendet e tyre, deputeti i LDK-së, Arben Gashi dhe deputetja Mimoza Kusari-Lila, u përfshinë në një debat për atë se kush duhet të ndihet i turpëruar.

Interpelanca është ndërpre, pasi shumica e deputetëve janë ngritur në këmbë, duke mbrojtur qëndrimet e tyre me debate jashtë foltores, kurse skena në Kuvend është shndërruar edhe në tentim për përplasje fizike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ciro Immobile më në fund rezultoi negativ në tamponin e…