
Oficeri rus i kapur rob i kërkon falje Ukrainës për gjenocidin
Një komandant rus i kapur nga forcat e Ukrainës ka dënuar pushtimin gjenocidal të Moskës.
Në një deklaratë televizive ai ka theksuar se trupat ruse u mashtruan duke besuar se Kievi ishte përmbysur nga nazistët dhe se kishte nevojë për çlirim.
Nënkoloneli i Gardës Kombëtare të Rusisë, Astakhov Dmitry Mikhailovich, i cili u kap së bashku me dy ushtarë të tjerë, ka thënë se atij i ishte thënë se po dërgoheshin për të ndihmuar Ukrainën sepse ajo ishte “e dominuar nga një regjim fashist” dhe se “nacionalistët dhe nazistët kishin marrë pushtetin”, raporton New York Post.
“Natyrisht, ky informacion ishte informacion i njëanshëm”, u tha Mikhailovich gazetarëve në një video që u shfaq të hënën.
I burgosuri u lut për “mëshirë” nga ukrainasit dhe tha se ishte gati të shkonte në burg për pjesëmarrjen në ofensivën brutale.
“Më vjen turp që erdhëm në këtë vend”, ka deklaruar Mikhailovich, duke shtuar se: “Nuk e di pse po e bënim. Ne dinim shumë pak. Ne sollëm pikëllim në këtë tokë”.
Duke u thënë gazetarëve se po fliste lirshëm, oficeri i lartë u kërkoi falje qytetarëve ukrainas, të cilët janë sulmuar drejtpërdrejt nga forcat pushtuese.
“Nuk mund të gjej fjalë për t’i kërkuar falje popullit ukrainas”, ka deklaruar Mikhailovich.
“Unë thjesht shpresoj sinqerisht në mëshirën tuaj ndaj atyre njerëzve që vijnë tek ju me duart lart, ose atyre që janë të plagosur. Ne nuk duhet të mbjellim vdekjen – është më mirë të mbjellim jetën”, ka thënë ai.