
Oklahoma mposhti Minnesotën, një fitore larg titullit në Perëndim
Oklahoma City Thunder ka marrë një fitore të madhe si mysafir ndaj Minnesota Timberwolves, me rezultat të ngushtë 128:126, duke shtuar epërsinë 3:1 në serinë finale të Konferencës Perëndimore. Pikët vendimtare i shënoi Shai Gilgeous-Alexander gjashtë sekonda para fundit, duke i dhënë fitoren skuadrës së tij. Gilgeous-Alexander ishte fantastik me 40 pikë, 10 kërcime dhe 9 asistime, duke zhvilluar një ndeshje të nivelit MVP.
Jalen Williams kontribuoi me 34 pikë, duke realizuar 13 nga 24 gjuajtje nga loja, përfshirë gjashtë tre pikësha. Chet Holmgren shtoi 21 pikë, 7 kërcime dhe 3 bllokime, duke kompletuar një paraqitje të fortë të Thunder.
Për Minnesota, më të mirët ishin Nickeil Alexander-Walker me 23 pikë dhe Donte DiVincenzo me 21 pikë. Ndeshja e pestë do të luhet natën nga e enjtja në të premte, ku Oklahoma do të ketë mundësinë ta mbyllë serinë dhe të sigurojë një vend në finalen e NBA-së para tifozëve të saj.