
Oltion Bilalli rikthehet në stërvitje pas katër muajsh
Pas katër muajsh mungesë për shkak të lëndimit të pësuar në ndeshjen ndaj Malishevës (0-0), futbollisti i Gjilanit, Oltion Bilalli u rikthye në stërvitje.
Ai u godit pa dashje me bërryl gjatë një dueli me portierin Ilir Avdyli në minutat e fundit të ndeshjes dhe më pas u përplas me kokë në tokë, duke pësuar gjakderdhje në kokë. Bilalli, dikur pjesë e Kosovës U21, qëndroi për disa javë në kujdesin mjekësor në QKUK, për tu liruar pastaj. Rikthimi në stërvitje, tregon përmirësime të dukshme në gjendjen e tij shëndetësore, pasi ai ka filluar vrapimet dhe përgatitjet për tu bashkuar pastaj me pjesën tjetër të ekipit.
“Pas katër muajsh të vështirë, plot sfida dhe sakrifica, jam rikthyer në fushë. Çdo ditë e kaluar në rikuperim ka qenë një betejë. Sot, më në fund jam kthyer aty ku i përkas – në fushë. Faleminderit të gjithëve që ishit pranë meje”, ka shkruar Bilalli.