
Onana transferohet te Trabzonspori
Portieri Andre Onana është larguar nga Manchester United për t’u bashkuar me Trabzonspor në formë huazimi për pjesën tjetër të sezonit. Klubi turk do të paguajë të gjitha pagat e portierit kamerunas, por ata nuk kanë asnjë mundësi ose detyrim për ta blerë atë.
Onana, i cili i kushtoi Unitedit gati 55 milionë euro kur u bashkua nga Interi dy vjet më parë, u lejua të largohej pasi Ruben Amorim solli portierin Senne Lammens nga Antwerp për rreth 21 milionë euro në ditën e fundit të afatit kalimtar.
Largimin e tij e konfirmoi vetë klubi anglez, përmes një postimi në rrjete sociale. “Andre Onana ka përfunduar një transferim në formë huazimi te skuadra turke Trabzonspor. Fat të mbarë për pjesën e mbetur të sezonit 2025/26, Andre”, ka shkruar United në X.
Portieri kamerunas erdhi në “Old Trafford” në kohën e ish-trajnerit të tij në Ajax, Erik ten Hag, duke u bërë portieri i tretë më i shtrenjtë në histori në atë kohë.