Operacion i rrallë në spitalin e Pejës, hiqet me sukses cista gjigante tek një 16-vjeçare
Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka regjistruar një rast të rrallë kirurgjikal, ku një paciente 16-vjeçare u operua me sukses për një cistë gjigante të shpretkës.
Vajza, e lindur në vitin 2009, u paraqit në spital me dhimbje të barkut dhe një prominim nën harkun brinjor të majtë.
Ekografia e abdomenit zbuloi një formacion cistik tumoral me përmbajtje jo homogjene, i cili u konfirmua më pas nga tomografia kompjuterike (CT) si një masë 20×20 cm në shpretkë.
Pas përgatitjeve preoperative dhe analizave laboratorike, u krye ndërhyrja kirurgjikale nën anestezion të përgjithshëm.
Gjatë operacionit, masa cistike u izolua dhe u hoq së bashku me shpretkën, pa dëmtuar organet përreth si lukthi, pankreasi, kolon, veshka e majtë, apo diafragmën.
Pacientja e përballoi mirë operacionin dhe periudhën post-operative në njësinë e kujdesit intensiv.
Materiali i hequr është dërguar për ekzaminim histopatologjik për verifikim të mëtejshëm të natyrës së lezionit. Ky rast tregon përgatitjen dhe profesionalizmin e stafit kirurgjikal në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës dhe përfaqëson një shembull të suksesshëm në trajtimin e patologjive të rralla kirurgjikale.



