Operacion kompleks në Mitrovicë: Largohet me sukses tumori me përmasa të mëdha te një 69-vjeçar
Një intervenim kompleks kirurgjik është realizuar me sukses në Spitalin e Mitrovicës. Spitali ka njoftuar se operacioni është kryer te pacienti R.D. (i lindur më 1957, nga Mitrovica), i cili vuante nga një masë tumorale me përmasa të konsiderueshme. Ndërhyrja është realizuar nga mjekët e Repartit të Kirurgjisë, në bashkëpunim me ekipin e Anesteziologjisë.
“Pacienti u diagnostikua me Liposarcoma permagna regio thoraco-abdominalis (pars lumbalis) l.sin (Tumor malinj i indit dhjamor me përmasa shumë të mëdha në regjionin e gjoksit dhe barkut, konkretisht në pjesën e mesit, në anën e majtë). Tumori kishte një shtrirje mjaft invazive, nga këndi i poshtëm i sqetullës së majtë (axilla), deri te pjesa e sipërme e kockës së legenit në anën e majtë (crista iliaca anterior superior). Ky operacion sfidues u krye me profesionalizëm nga ekipi i mjekëve: Specialistët e kirurgjisë: Dr. Ilir Hajzeri, Dr. Muhamet Musa dhe Dr. Albert Miftari. Anesteziologët: Dr. Fatmir Ujkani dhe Dr. Arbër Bardhaj. Instrumentaret: Medina Pllana dhe Fidane Brahimi-Sejdiu, si dhe tekniku i anesteziologjisë Petrit Boja”, ka njoftuar Spitali i Mitrovicës.



