Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të gjerë antidrogë të koduar “Delivery”, i cili ka rezultuar me arrestimin e pesë personave të dyshuar për veprimtari kriminale, përfshirë shpërndarje të narkotikëve dhe krime kibernetike.
Sipas njoftimit zyrtar, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në rajonin e Prishtinës, pas një pune intensive operative, fillimisht kanë identifikuar dy persona të dyshuar për shpërndarje të marihuanës dhe kokainës në kryeqytet.
“Më 25 mars 2026, rreth orës 14:00, të dyshuarit janë lokalizuar në dalje të autostradës në Veternik, duke lëvizur me një veturë Golf 8. Ata kanë tentuar të arratisen me shpejtësi të madhe, duke rrezikuar sigurinë në trafik, ndërsa janë ndjekur nga policia në drejtim të Fushë-Kosovës dhe më pas Podujevës”, ka njoftuar policia.
Ndjekja, sipas policisë, ka përfunduar në hyrje të Vushtrri, ku policia ka arritur t’i ndalojë dhe arrestojë të dyshuarit.