
Operohet Gjimshiti, ja kur do të rikthehet në fushë
Berat Gjimshiti ishte i pafat në ndeshjen që kombëtarja jonë zhvilloi me Hungarinë në “Puskas Arena”. Mbrojtësi shqiptar u dëmtua në mesin e pjesës së parë nga një përplasje me portierin Berisha në përpjekje për të larguan një top të hedhur në zonën tonë.
Nga dëmtimi që mori, Gjimshiti u detyrua të linte fushën e lojës dhe të rikthehet para kohe në Itali, për t’iu nënshtruar vizitave mjekësore, për të parë dhe shkallën e dëmtimit.
Në një postim të bërë nga Klubi i Atalantës bëhet e ditur se Berati i është nënshtruar një operacioni në krah, në një klinikë në Torino, duke e kaluar me sukses këtë sprovë dhe 28-vjeçari do të qëndrojë të paktën 1 muaj larg fushës së gjelbër.
Në një situatë të tillë Gjimshiti mund të jetë i gatshëm për sfidat e nëntorit që kombëtarja jonë do zhvillojë me 12 ndaj Anglisë dhe 15 ndaj Andorrës. Dy sfida të rëndësishëm që do vendosin edhe fatin e Shqipërisë në këto kualifikuese.