
Opozita bllokoi marrëveshjen me Bankën Botërore, tani ankohet për vonesën e Planit të Rritjes nga BE
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka akuzuar opozitën se për muaj të tërë ka refuzuar ta ratifikojë marrëveshjen me Bankën Botërore në vlerë prej 90 milionë eurosh, duke e quajtur këtë veprim shkakun kryesor të vonesës së përfitimeve të Kosovës nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.
“Opozita për muaj të tërë pati refuzu me e ratifiku marrëveshjen prej 90 milionë euro me Bankën Botërore, kredi me kamatë 0%,” ka shkruar Murati.
Ai ka theksuar se e njëjta opozitë që kishte bllokuar marrëveshjen tani po kritikon qeverinë për mosrealizimin e fondeve nga BE.
“E njëjta opozitë tash po ankohet pse Kosova ende nuk po përfiton nga Plani i Rritjes nga BE, financim ky i cili është kryesisht kredi me kamatë potencialisht 3-4%,” ka shtuar ai.
Sipas Muratit, vonesa në përfitimin e fondeve nga BE vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e bllokadës që opozita i ka bërë Kuvendit.
“Në fakt vetë vonesa e përfitimit nga Plani i Rritjes vjen si pasojë e bllokadës që pikërisht opozita ia bëri Kuvendit, gjë që ka pamundësuar ratifikimin e Planit të Rritjes,” ka përfunduar Murati.