Opozita insiston në zgjedhje të reja: Qeveria Kurti ka humbur kredibilitetin

18 shtator 2023 | 11:51

Edhe pse nuk i kanë numrat për ta rrëzuar qeverinë Kurti në Kuvendin e Kosovës, partitë opozitare janë duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kjo kërkesë e opozitës nuk është duke u përfillur nga partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje, e cila është shprehur e bindur se do ta çojë deri në fund mandatin qeverisës.

Përfaqësuesit e tri partive opozitare, PDK-së, LDK-së, AAK-së, në vazhdimësi janë duke kërkuar që Kosova të shkojë në zgjedhje, me arsyetimin se qeveria Kurti ka dështuar në të gjitha fushat, duke përfshirë, ekonominë, shëndetësinë, arsimin etj, shkruan “Epoka e re”.

Po ashtu, opozita është shprehur mjaft kritike edhe në raport me procesin e dialogut me Serbinë dhe raportet e tendosura në mes të qeverisë Kurti me bashkësinë ndërkombëtare, konkretisht me Bashkimin Evropian dhe ShBA-në, të cilat kanë vendosur masa ndaj Kosovës për shkak të situatës së krijuar në veri.

Para disa ditësh lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se qeveria Kurti e ka humbur legjitimitetin. Ai ka vlerësuar se është e domosdoshme të mbahen zgjedhjet e reja.

“Kjo qeveri tashmë e ka humbur çdo kredibilitet dhe nevoja për t’u rikthyer te qytetarët, përmes zgjedhjeve të parakohshme, është e domosdoshme”, ka thënë Krasniqi. Po ashtu, Krasniqi ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për dialogun me Serbinë, duke iu referuar takimit të 14 shtatorit në Bruksel.  “Atë që ia kemi thënë shumë herë kryeministrit Kurti, ai tek sot e paska kuptuar. Më 27 shkurt në Bruksel dhe më 18 mars në Ohër, kryeministri Kurti ka pranuar një marrëveshje dhe një aneks të zbatimit të saj, përmes të cilave ka hequr dorë nga njohja e ndërsjellë, ndërsa ka vendosur asociacionin dhe autonominë politike për serbët në qendër të dialogut.

Në këtë situatë – të qëndrimit refuzues si pasojë e pranimit paraprak, kryeministri Kurti e ka futur veten. Askush nuk e ka detyruar ta pranojë marrëveshjen dhe aneksin e saj të zbatimit, nëse ka qenë i bindur se ato janë të dëmshme. Tash, pasi e ka kuptuar se ka gabuar, ka vendosur të bëjë lojëra fjalësh dhe hapa mbrapa. Fatkeqësisht, ky ndryshim i qëndrimit nuk do t’i kushtojë atij, por Kosovës. Kosova dhe qytetarët e saj nuk i kanë borxh asgjë kryeministrit Kurti, aq më pak sanksionet të cilat tashmë po i vuajmë dhe të tjera që janë paralajmëruar”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se thirrjet populliste për t’u bashkuar kundër Perëndimit dhe botës demokratike në një shtet që ka synim integrimin euroatlantik janë çmenduri e llojit të vet.

Në këtë kontekst, ai ka thënë se Kosovës i duhet një qeveri kredibile, e cila e rikthen vendin në rrugën euroatlantike.

“Qytetarëve dhe shtetit tonë nuk i duhet e nuk i ndihmon ky kurs i konfrontimit me aleatët strategjikë. Sot, para së gjithash, Kosova ka nevojë për një qeveri tjetër – kredibile, të aftë dhe të përgjegjshme, e cila e rikthen vendin në kursin e nevojshëm të zhvillimit dhe integrimit euroatlantik”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka deklaruar se opozita nuk i ka numrat e nevojshëm për ta rrëzuar qeverinë Kurti. Po ashtu, Gashi ka thënë se as qeveria s’i ka numrat për të qeverisur. Sipas tij, për t’i kaluar ligjet, qeverisë po i duhet mobilizim disa javë.

“Ne jemi në një situatë kur duhet të flasim dhe të jemi të sinqertë me qytetarët e Kosovës dhe me veten tonë. E vërteta është që nuk kemi numra për ta rrëzuar qeverinë. Po ashtu, është e vërtetë se qeveria nuk i ka numrat të qeverisë. Pra jemi në një situatë bllokade, ku qeverisë për të kaluar ligje i duhet një mobilizim i jashtëzakonshëm disajavësh që t’i detyrojë deputetët dhe mezi i mbërrin 61 deputetë që të mund t’i kalojë disa ligje, pastaj për muaj të tërë nuk kalon asgjë. Pothuajse krejt viti 2023 karakterizohet me këtë situatë, ku ka një vështirësi të theksuar të kalimit të ligjeve apo mbajtjes së seancave në Kuvendin e Republikës”, ka thënë Gashi në një intervistë në “ATV”.

Pavarësisht prej kësaj, ai ka thënë pozita dhe opozita duhet të merren vesh për zgjedhjet e reja të cilat, sipas tij, nëse nuk mbahen sivjet, do të mbahen vitin e ardhshëm. Në anën tjetër, iniciuesi i mocionit për rrëzimin e qeverisë Kurti, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, pas dështimit të takimit të së enjtes në Bruksel, ka kërkuar nga kryeministrit Albin Kurti të japë dorëheqje. “Këtë veprim duhet ta bëjë edhe nëse ai mendon se është në rrugë të drejtë. Ai obligohet ta pyesë popullin se çka mendon për veprimet e tij. Në demokraci zgjedhjet janë përgjigjja më e mirë”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Më tutje, ai ka thënë se në rast të mungesës së reflektimit të Kurtit, përgjegjësia mbetet te liderët e tjerë politikë, që të bashkohen dhe të veprojnë urgjentisht për ta dërguar vendin në zgjedhje, duke e shkarkuar Kurtin përmes mocionit. “Është koha ta pyesim popullin se si të dalim nga kjo gjendje e rrezikshme”, ka shkruar Haradinaj.

Thirrjet e opozitës për zgjedhje të reja janë duke u injoruar nga pushteti. Ata janë shprehur të bindur se opozita nuk i ka numrat për ta rrëzuar qeverinë Kurti në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, në një prononcim për “Blic”-in, ka thënë se opozita është bërë qesharake në raport me kërkesën për zgjedhje. Ai e ka porositur opozitën se nëse i ka votat, le ta sjellë mocionin në Kuvend ose në të kundërtën të punojë.

“Këto komente apo këto pretendime të opozitës janë prej 14 shkurtit e tutje. Nuk ka ndodhur të fillojë një sezon parlamentar e as ka përfunduar pa deklarime të tilla të opozitës, të cilat janë bërë qesharake. Pra vetë opozita po bëhet qesharake me këto deklarata. Nëse i ka votat, le ta sjellë mocionin, le ta provojë. Nëse nuk i ka, mos t’i terrorizojnë qytetarët me deklarata të tilla, por le të vijë të punojë. Është koha të punohet, në komisione, në ligje sepse ligjet nuk janë për qeverinë, por për qytetarët e Kosovës. Kemi nevojë t’i përmirësojmë reformat për të cilat edhe BE-ja na i kërkon,  edhe raportet e tjera të auditorit etj., që tregojnë se duhen disa reforma. Hajde t’i bëjmë reformat e jo deklarata të tilla. Nëse i kanë votat, të shkojmë në zgjedhje. Nëse nuk i kanë, të punojnë”, ka thënë Batusha.

Vendi mund të shkojë në zgjedhje nëse 61 deputetë të Kuvendit votojnë në favor të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë. Aktualisht opozita ka mbi 40 deputetë dhe pa mbështetjen e deputetëve të pushtetit nuk mund të kalojë mocioni kundër qeverisë Kurti. Ajo çfarë mund të bëjë opozita me këta numra është vetëm ta iniciojë mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.

Kërkesa për zgjedhje të reja, analistët: Opozita po synon rritjen e elektoratit

Thirrjet e partive opozitare për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, njohësit e çështjeve politike janë duke i vlerësuar si thirrje për rritjen e elektoratit të tyre. Sipas tyre, opozita e di mirë që nuk mund ta dërgojë vendin në zgjedhje pasi nuk i ka votat e mjaftueshme.

Ata kanë thënë se vendi mund të shkojë në zgjedhje vetëm nëse qeveria  Kurti jep dorëheqje por, sipas tyre, për këtë gjasat janë shumë të vogla.

Analisti politik Shemsi Jashari ka thënë “Ekonomia Online” se kërkesat e opozitës për zgjedhje janë normale pasi, sipas tij, sa më shumë që zgjatë qeveria e tanishme, aq më lehtë do të jetë për opozitën sepse do të ketë argumente më shumë për t’i bindur qytetarët kundër saj.

“Kërkesat nga opozita për të shkuar në zgjedhje  për shkarkim të qeverisë në demokraci janë minimale. Secila opozitë normalisht do të duhej ta kërkonte shkarkimin e një qeverie që është në pozitë për të organizuar zgjedhje. Sa më shumë që zgjatë kjo qeveri aq më lehtë do të jetë për opozitën sepse do të ketë argumente më shumë për ta bindur qytetarin se kjo qeverisje nuk është e mirë. Skandalet e njëpasnjëshme që është duke i prodhuar ka bërë që opozitës t’i japë kuroja që të dalë nga ai pozicion inferior që ka ekzistuar tek opozita në dy vitet e para të qeverisjes dhe tash sikur duket që kanë marrë më shumë guxim për të kërkuar zgjedhje”, ka thënë Jashari.

Ai ka thënë se sulmet që qeveria është duke i bërë në adresë të gjyqësorit dhe prokurorisë kanë bërë që një numër i madh i qytetarëve ta shikojnë pozicionin e vet kur të organizohen zgjedhjet.

Ndërsa analisti tjetër politik, Arbnor Sadiku, ka thënë se duke u bazuar në numrat që ka partia në pushtet, gjasat për të shkuar në zgjedhje janë shumë të vogla.

Sipas tij, thirrjet e partive opozitare për të shkuar në zgjedhje janë duke u bërë për arsye që në zgjedhjet e ardhshme të dalin të dytat dhe të bashkëqeverisin me LV-në.

“Bazuar në numrin e deputetëve që ka LV-ja në Kuvend, gjasat për të rënë kjo qeveri shumë shpejt janë jashtëzakonisht të vogla. Natyrisht që opozita nuk ka tjetër punë përveç që ta dërgojë vendin ne zgjedhje në çdo kohë dhe në çdo moment pasi që pret një momentum më të mirë. Ndoshta jo që praktikisht të dalë të parat, por si e dyta apo e treta parti të ketë një rezultat më të favorshëm në zgjedhjet e ardhshme, me një LV e cila mund t’i ketë nën 40 për qind të elektoratit të Kosovës dhe nuk do të mund ta krijojë qeverinë e re pa ndonjërën parti opozitare”, ka thënë Sadiku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një burrë është zhdukur të dielën në Fushë Kosovë. Gruaja…