Opozita kërkon llogaridhënie për aeroportin e Vlorës, Karakaçi refuzon të flasë

11 qershor 2026 | 12:10

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka refuzuar të paraqitet në Kuvend për një interpelancë të kërkuar nga deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, lidhur me situatën e krijuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.

Në përgjigjen zyrtare, ministri argumenton se çështja lidhet me mosmarrëveshje tregtare dhe civile mes ortakëve, të cilat janë objekt i proceseve gjyqësore dhe hetimore në zhvillim, ndaj diskutimi i tyre në Kuvend mund të ndikojë këto procese.

Por ky argument ka ngritur pikëpyetje të reja, pasi vetë qeveria është përfshirë aktivisht në konflikt. Vetëm pak ditë më parë, Karakaçi i dërgoi një shkresë zyrtare kompanisë MABCO të Behgjet Pacollit, ku ngrinte dyshime për marrëveshjen e financimit me fondin Delphos dhe kërkonte pezullimin e çdo veprimi që lidhej me të deri në përfundimin e verifikimeve. Më herët, ministri ka paralajmëruar edhe vendosjen e gjobave ndaj kompanive të përfshira në projekt për vonesat në përfundimin e aeroportit, ndërsa Policia e Shtetit është përfshirë në terren gjatë konfliktit për kontrollin e kantierit.

Pikërisht mbi këtë bazë, deputeti Besart Xhaferri argumentoi në Kuvend se çështja nuk mund të konsiderohet më një konflikt privat mes ortakësh.“Nëse kjo është vetëm një mosmarrëveshje private mes ortakësh, atëherë kam disa pyetje shumë të thjeshta. Pse është përfshirë Ministria e Infrastrukturës? Pse është përfshirë Policia e Shtetit? Pse flitet për ndërprerje të një kontrate koncesionare? Pse po rrezikohet funksionimi i një aeroporti ndërkombëtar? Pse po rrezikohet ekonomia e një rajoni të tërë?”, u shpreh ai.

Sipas Xhaferrit, interpelanca nuk synonte të komentonte proceset gjyqësore, por të kërkonte llogari nga qeveria për bllokimin e aeroportit, kostot ekonomike që po shkakton kjo situatë dhe rrezikun që Shqipëria të përballet me një arbitrazh ndërkombëtar.

Deputeti demokrat theksoi se Aeroporti i Vlorës është një investim strategjik mbi të cilin janë ngritur pritshmëri të mëdha ekonomike nga bizneset, operatorët turistikë dhe investitorët e jugut të vendit.

Ai ngriti gjithashtu shqetësimin se, pavarësisht vendimit të Gjykatës së Lartë që riktheu të drejtat e votës së aksionarit mazhoritar, aeroporti vijon të mbetet i bllokuar. “Dëmi më i madh mund të vijë nesër. Nga arbitrazhi ndërkombëtar. Dhe këtu dua të ndalem tek një fakt që askush nuk po e diskuton. Sot po flasim për një kompani që sipas dokumenteve publike zotëron 98% të kuotave të shoqërisë.

Një kompani që ka financuar projektin. Një kompani që ka garantuar kreditë.
Një kompani që ka mbajtur barrën kryesore financiare të aeroportit. Një kompani që pretendon se është penguar të administrojë investimin e saj” deklaroi Xhaferri.

Në fund të fjalës së tij, ai i kërkoi qeverisë të dalë para publikut dhe të shpjegojë pse aeroporti nuk operon ende, çfarë ka bërë ministria për zgjidhjen e situatës dhe si do të mbrohet interesi publik.

FJALIMI I PLOTE I DEPUTETIT TE PD, BESART XHAFERRI NE KUVEND

Zoti Kryetar,
Të nderuar kolegë deputetë,

Sot po marr fjalën për një çështje që shumica parlamentare vendosi të mos e lejojë të diskutohet në këtë sallë.

Kërkova një interpelancë urgjente me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë për situatën e krijuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.

Kërkova që ministri të vinte para Kuvendit dhe t’u jepte përgjigje qytetarëve shqiptarë.

Por përgjigjja që mora ishte refuzimi.

Arsyeja?

Sipas Ministrisë dhe Kuvendit, kjo qenka thjesht një mosmarrëveshje tregtare mes ortakësh dhe diskutimi i saj mund të ndikojë proceset gjyqësore në zhvillim.

Të nderuar kolegë,

Nëse kjo është vetëm një mosmarrëveshje private mes ortakësh, atëherë kam disa pyetje shumë të thjeshta.

Pse është përfshirë Ministria e Infrastrukturës?
Pse është përfshirë Policia e Shtetit?
Pse flitet për ndërprerje të një kontrate koncesionare?
Pse po rrezikohet funksionimi i një aeroporti ndërkombëtar?
Pse po rrezikohet ekonomia e një rajoni të tërë?

Dhe mbi të gjitha:
Pse po rrezikon Shqipëria të përballet me arbitrazh ndërkombëtar?

Sepse këto nuk janë karakteristika të një konflikti privat.

Këto janë karakteristika të një problemi që prek drejtpërdrejt interesin publik dhe interesin kombëtar.

Dua të jem shumë i qartë.

Unë nuk kërkova nga ministri të komentojë vendimet e gjykatave.
Nuk kërkova të ndërhyjë në drejtësi.
Nuk kërkova të ndikojë proceset gjyqësore.

Kërkova vetëm llogari.
Kërkova të dijë publiku:
Pse aeroporti nuk po operon?
Pse vazhdon bllokimi?
Çfarë ka bërë Ministria për të zgjidhur situatën?
Çfarë ka bërë Policia e Shtetit?
Sa është kostoja ekonomike e kësaj situate?
Dhe sa është rreziku që nesër shqiptarët të përballen me një faturë të rëndë arbitrazhi?

Këto nuk janë pyetje për gjykatat.
Këto janë pyetje për qeverinë.
Dhe fakti që qeveria refuzon t’u përgjigjet, është në vetvete alarmues.

Sepse Aeroporti i Vlorës nuk është një kompani e zakonshme.
Nuk është një biznes i zakonshëm.
Nuk është një konflikt i zakonshëm.
Është një nga investimet më të rëndësishme strategjike të Shqipërisë.

Për vite me radhë shqiptarëve u është thënë se ky aeroport do të transformojë ekonominë e Jugut.
Do të sjellë turistë.
Do të sjellë investime.
Do të sjellë vende pune.
Do të sjellë zhvillim.

Dhe mijëra njerëz i besuan këto premtime.
Hotelierët investuan.
Operatorët turistikë investuan.
Restorantet investuan.
Familjet investuan.
Sipërmarrësit morën kredi.

U ndërtuan hotele.
U ndërtuan resorte.
U ndërtuan struktura turistike.

Dhe të gjitha këto investime u bënë mbi një pritshmëri të vetme:
Që Aeroporti i Vlorës do të hapej.
Që Aeroporti i Vlorës do të sillte më shumë turistë.
Që Aeroporti i Vlorës do të rriste ekonominë e rajonit.

Por sot aeroporti nuk operon.
Sot aeroporti është i bllokuar.
Dhe çdo ditë vonesë ka një kosto reale.
Më pak turistë.
Më pak prenotime.
Më pak të ardhura.
Më pak investime.
Më pak vende pune.
Dhe ky është dëmi i parë që po i shkaktohet ekonomisë shqiptare.

Por fatkeqësisht nuk është dëmi më i madh.
Dëmi më i madh mund të vijë nesër.
Nga arbitrazhi ndërkombëtar.

Dhe këtu dua të ndalem tek një fakt që askush nuk po e diskuton.
Sot po flasim për një kompani që sipas dokumenteve publike zotëron 98% të kuotave të shoqërisë.
Një kompani që ka financuar projektin.
Një kompani që ka garantuar kreditë.
Një kompani që ka mbajtur barrën kryesore financiare të aeroportit.
Një kompani që pretendon se është penguar të administrojë investimin e saj.

Dhe absurdi bëhet edhe më i madh kur kupton se, edhe në skenarin më të pafavorshëm për këtë kompani, sipas pretendimeve që janë bërë në procese të ndryshme, ajo do të mbetej përsëri aksioneri kontrollues i aeroportit me 51%, pra shumicën absolute të kuotave.

Pra pyetja që lind natyrshëm është:
Kush përfiton nga ky bllokim?
Kush përfiton që aeroporti të mos përfundojë?
Kush përfiton që aeroporti të mos operojë?
Kush përfiton që investitori kryesor të mos ushtrojë të drejtat e tij?

Sepse ajo që po ndodh nuk është normale.
Kjo kompani u pengua me praninë dhe ndërhyrjen e Policisë së Shtetit të vazhdonte punimet, e njejta polici qe beri sehir kur qytetari u morr zvarr ne Zvernec.

U pengua të hynte në kantier.
U pengua të përfundonte aeroportin.
U pengua të administronte investimin e saj.

Dhe sot, edhe pasi ekziston një vendim i Gjykatës së Lartë që ka rivendosur të drejtat e votës së aksionarit mazhoritar, situata vazhdon të mbetet e bllokuar.
Përsëri kemi pengesa.
Përsëri kemi mosveprim.
Përsëri kemi vonesa.
Përsëri kemi një aeroport që nuk operon.

Dhe kjo është pikërisht arsyeja pse kjo çështje nuk mund të trajtohet si një konflikt privat.

Sepse kur një investitor nuk lejohet të administrojë investimin e tij;
kur një aeroport mbahet peng për muaj të tërë;
kur vendimet e gjykatave nuk prodhojnë efektet që duhet të prodhojnë;
kur policia bëhet faktor në një konflikt që duhet të zgjidhet me ligj dhe jo me forcë;
atëherë kemi një problem shumë më të madh sesa një mosmarrëveshje tregtare.

Kemi një problem të shtetit të së drejtës.
Kemi një problem të sigurisë juridike.
Kemi një problem të klimës së investimeve.

Sepse çfarë mesazhi po i japim sot botës?
Çfarë mesazhi po i japim investitorëve të huaj?
Çfarë mesazhi po i japim sipërmarrësve shqiptarë?

Mesazhi që po japim është ky:
Edhe nëse financon projektin.
Edhe nëse mban barrën financiare.
Edhe nëse zotëron shumicën dërrmuese të aksioneve.
Edhe nëse fiton në Gjykatën e Lartë.
Prapë mund të mos lejohesh të administrosh investimin tënd.

Nëse ky është mesazhi që po jep Shqipëria sot, atëherë dëmi më i madh nuk është arbitrazhi.
Dëmi më i madh është humbja e besimit.
Sepse kapitali mund të humbasë para dhe t’i fitojë përsëri.
Por besimi i investitorëve, kur humbet, kërkon vite për t’u rikthyer.

Dhe tani vijmë tek arbitrazhi.
Qeveria po sillet sikur ky rrezik nuk ekziston.
Por historia e Shqipërisë është e mbushur me arbitrazhe të humbura.
Arbitrazhe që i kanë kushtuar qindra miliona euro taksapaguesve shqiptarë.

Dhe nëse nesër Shqipëria humbet një arbitrazh tjetër, faturën nuk do ta paguajë ministrja.
Nuk do ta paguajë drejtori.
Nuk do ta paguajë asnjë zyrtar që sot refuzon të japë llogari.
Do ta paguajnë qytetarët shqiptarë.
Do ta paguajë pensionisti.
Do ta paguajë mësuesi.
Do ta paguajë mjeku.
Do ta paguajë sipërmarrësi shqiptar.
Do ta paguajë çdo familje shqiptare.

Prandaj refuzimi i interpelancës nuk është thjesht një çështje procedurale.
Është një përpjekje për t’i ikur llogaridhënies.
Është një përpjekje për të shmangur debatin publik.
Është një përpjekje për të mos iu përgjigjur pyetjeve që shqetësojnë qytetarët.

Por problemet nuk zhduken sepse refuzon të flasësh për to.
Ato vetëm bëhen më të mëdha.
Prandaj sot i bëj thirrje qeverisë:
Dilni para shqiptarëve.
Tregoni çfarë po ndodh.
Shpjegoni pse aeroporti nuk operon.
Shpjegoni çfarë ka bërë ministria.
Shpjegoni çfarë ka bërë policia.
Shpjegoni si do të mbrohet interesi publik.

Sepse Aeroporti i Vlorës nuk është vetëm një aeroport.
Është testi më i madh i sigurisë juridike në Shqipëri.
Është testi më i madh i klimës së investimeve.
Është testi më i madh i seriozitetit të shtetit shqiptar.

Dhe sot, fatkeqësisht, qeveria po dështon ta kalojë këtë test.
Faleminderit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me drejtorët e…