Opozita kërkon nga qeveria të gjejë zgjidhje për grevën në arsim

16 shtator 2022 | 11:30

Kuvendi i Kosovës në seancën e parë të sesionit vjeshtor ka zhvilluar të enjten debat parlamentar për grevën e përgjithshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Partitë opozitare kanë dhënë kritika në adresë të qeverisë Kurti për grevën në arsim, duke kërkuar zgjidhje nga qeveria për kthimin e nxënësve në shkolla.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se është përgjegjësi e qeverisë të gjejë zgjidhje për këtë padrejtësi që po u bëhet nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve. “Sot nuk është më çështja se kush ka të drejtë. Çështja është kush e zgjidh padrejtësinë. E padrejtësi s’po përjeton as ti kryeministër, as sindikatat. Padrejtësinë më të madhe sot po e përjetojnë nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit. Ky është roli yt dhe kjo është përgjegjësia jote”, ka deklaruar kryetari i PDK-së.

Krasniqi ka theksuar se edhe pse nuk është përgjegjësi e opozitës, në këtë pikë do të marrin përgjegjësi bashkë me të. “Gjej zgjidhje. Po të mbështesim”, theksoi ai.

Krasniqi ka thënë se kryeministri Albin Kurti është çelësi që duhet ta zgjidhë këtë problem. “Mënyra si i je qasur trajtimit të kërkesave të tyre (sindikatave) është e gabuar”, ka deklaruar Krasniqi, shkruan “Epoka e re”.

Lideri i PDK-së ka thënë se Kosova po kalon nëpër një vit të vështirë, i cili, si duket, do të mbahet mend si një vit i depresionit të shkaktuar nga krizat e njëpasnjëshme që e kanë kapluar vendin. Sipas tij, këto kriza janë duke gjetur një terren të lirë për të lulëzuar si pasojë e kësaj qeverie plotësisht të paaftë për t’i adresuar problemet me të cilat po ballafaqohet vendi.

Për ta kaluar këtë krizë ekonomike, lideri i PDK-së ka dhënë pesë propozime konkrete. “Për të kontribuuar në zbutjen e nivelit të inflacionit, për t’i ndihmuar qytetarët të përballen me krizën dhe për të kontribuuar në rigjallërimin e ekonomisë, ne kërkojmë që urgjentisht të ndërmerren këto pesë masa konkrete: 1. Të lirohen nga TVSh-ja të gjitha mallrat esenciale të konsumit për një periudhë gjashtëmujore; 2. Të lirohen nga akciza produktet e naftës për një periudhë gjashtëmujore, gjë e cila do ta ulë çmimin e naftës për 36 centë në litër; 3. Të lirohet nga TVSh-ja konsumi i energjisë elektrike për një periudhë gjashtëmujore dhe të subvencionohen me 25 % të vlerës faturat e familjeve që konsumojnë deri në 1200 kwh; 4. Të rriten pagat, pensionet dhe ndihmat sociale, për aq sa norma e inflacionit (rreth 15 për qind); 5. Të lejohet tërheqja deri në 30 % e kursimeve pensionale nga Trusti, me kushtin që gradualisht të rimbursohen mjetet e kontribuuesve që kanë më pak se 10 000 euro në llogarinë e kursimit pensional”, ka thënë Krasniqi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se rreth 25 mijë mësimdhënës janë në grevë, ndërkaq rreth 318 mijë nxënës tash e tri javë nuk vijojnë mësimin.

“Të kesh 318 mijë fëmijë e 25 mijë mësimdhënës jashtë sistemit arsimor është emergjencë kombëtare. Të kesh familje kosovare që nuk organizojnë dot përditshmërinë e tyre meqë nuk kanë ku t’i lënë fëmijët, është emergjencë kombëtare. Emergjencë që duhet të ngrehë alarme e duhet të sjellë vendimmarrje. Kjo emergjencë kërkon, para së gjithash, dialog dhe nga dialogu kompromis. Janë njerëzit tanë, familjet tona, mësimdhënësit e nxënësit tanë”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka thënë se sot nuk ka gjë më të rëndësishme sesa të dialogosh me ta e për ta e të gjesh një zgjidhje.

“Kryeministri, megjithatë, ka zgjedhur një rrugë tjetër. Ai ka zgjedhur polarizimin. Fillimisht duke komunikuar në distancë me ta, e më pas duke lëshuar fletërrufe nga ideologët partiakë që përfaqësuesit sindikalë me të cilët përndryshe bashkëpunonte vetë sa ishte në opozitë, i portretizon si shërbëtorë të Serbisë, mësimdhënësit në masë si analfabetë, e kundërshtarët politikë në opozitë, komunat, mediet e armiqtë e padukshëm, si organizatorë të grevave me qëllim të rrëzimit të qeverisë. Duhet të kesh një hall të madh që ta ushqesh këtë krizë. Duhet të jesh tërësisht i shkëputur nga realiteti në vend për të gjetur fajtorë nga Serbia deri tek opozita për një problem që, megjithatë, bërtet. Bërtet për zgjidhje. Për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Përgjegjësi i vetëm për këtë krizë ka adresë në qeveri”, ka thënë Abdixhiku.

Ndërkaq shefi i grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk është unike pasi është duke e ndarë popullin se “kush është me Albin Kurtin e kush është me Rrahman Jasharaj”.

Deputeti Tahiri ka thënë se qëllim tjetër është për t’i përçarë sindikatat të cilat ende nuk ka mundur kryeministri Kurti t’i kapë. “Sikurse që ka vepruar me bordet e ndërmarrjeve publike dhe të agjencive të pavarura, gjithandej globit shohim shtete dhe qeveri që kanë marrë masa për t’u ballafaquar me krizat. Qeveria jonë është e zënë me shpërfaqjen e pashembullt të një arrogance dhe, për më keq, për prodhimin e krizave një pas një. Sot jemi duke folur për një krizë serioze, e cila lidhet me fëmijët tanë dhe e cila e kërkon një zgjidhje. Kjo papërgjegjësi e qeverisë tashmë po thellon krizën në çdo aspekt”, ka thënë Tahiri.

E kryeministri Albin Kurti para deputetëve ka përmendur pakot që ka shpërndarë në mandatin qeverisës. Duke folur për grevën në vend, ai ka thënë se dialogu me sindikata nuk ka munguar, por ka thënë se kërkesat e tyre janë të parealizueshme.

“Me sindikatat kemi pasur takime e komunikim të vazhdueshëm. Janë zhvilluar mbi 30 takime në mes të qeverisë e sindikatave. Me krerët e SBAShK-ut takohet ministrja e Arsimit, me krerët e BSPK-së jam takuar unë. Takimin e fundit që pata ishte me Këshillin Grevist. Dhe është zhvilluar me iniciativë timen”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se nuk është problemi te mungesa e komunikimit, por ka një mospajtim themelor mes qeverisë dhe sindikatave.

“Nuk është problemi te mungesa e komunikimit apo tek arroganca, por kemi një mospajtim themelor sepse unë jam i bindur se në këtë krizë duhet të dalim përmes pakos që e mundëson përballjen me inflacion e jo përmes kërkesave partikulare derisa të votohet Projektligji për Paga”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka shtuar se nuk janë të pranueshme kërcënimet apo shantazhet në këtë rast. “Nuk mund të thuhet që ne i mirëmbajmë në mënyrë të ligjshme financat shtetërore nëse një grupi të caktuar ia plotësojmë kërkesën që t’i japim një shtesë të caktuar derisa të votohet Projektligji për Paga. Përballje me inflacion po, mirëpo kërcënim apo shantazh i dua kaq para për çdo muaj derisa të kalojë projektligji, nuk bën. Ai 50 euro është më i madh sesa përqindja e rritjes ekonomike kur përkthehet në pagën e mësimdhënësit”, tha kryeministri Kurti. Ai ka shtuar se i kanë marrë për bazë të gjitha kërkesat dhe janë përpjekur t’i akomodojnë në projektligjin që është në diskutim publik.

Kryeministri shtoi se nuk është e çuditshme që opozita po e mbështet grevën. “Po shihet komplet opozita e mbështet grevën. Për bindjen time, nuk është e rastësishme që bartës i këtij mocioni është deputeti më shurdhues”, ka deklaruar Kurti.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Journal B (https://journal-b.ch) shënon jubileun e 10-të me një program…