Opozita kërkon rritjen e pagës minimale, sindikata kërkon të mos jetë nën 400 euro

05 janar 2022 | 13:12

Paga minimale vazhdon të mos ndryshojë në Kosovë.

Premtimet e ekzekutivit për ngritje të pagës minimale në 250 euro nuk i afrohen kërkesave të sindikatave që tashmë kërkojnë që të mos jetë nën 400 euro pas rrethanave të reja të krijuara. Opozita mendon se ngritja e pagës minimale është e domosdoshme për shkak të ngritjes së çmimeve, krizës energjetike e pandemisë.

Paga minimale në Kosovë, ndonëse sipas Ligjit të punës do të duhej të përcaktohej çdo vit, që nga viti 2011 vazhdon të jetë 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35-vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35-vjeç.

Sipas nenit 57 të Ligjit të punës, paga minimale duhet të përcaktohet duke marrë parasysh koston e shpenzimeve jetësore, përqindjen e shkallës së papunësisë, si dhe gjendjen e përgjithshme në tregun e punës dhe përcaktohet për periudhën njëvjeçare.

Përkundër se vitin e kaluar kërkuan që paga minimale të jetë 350 euro, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, ka thënë për “KosovaPress” se tashmë nuk duhet të ketë propozime nën 400 euro për pagë minimale pas rritjes së çmimeve dhe largimit të punëtorëve jashtë vendit.

“Nëse kryeministri ose kushdo qoftë tjetër mendon se paga minimale do të jetë e arsyeshme me një pagë 250 ose 300 euro, po them kjo është një pagë e tejkaluar dhe ne nuk duam as të merremi me të”, ka thënë Azemi.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, njëherësh deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Ferat Shala, ka thënë se inflacioni, kriza energjetike dhe situata me pandeminë e kanë bërë të detyrueshme rritjen e pagës minimale.

“Nëse ndalemi dhe i shikojmë rrjedhat dhe zhvillimet socio-ekonomike të vendit e sidomos në këtë gjashtëmujorin fundit, është e domosdoshme ngritja e pagës minimale”, ka thënë ai, duke shtuar se rritja e pagës minimale duhet të jetë mbi 300 euro. “300 deri në 350 varësisht nga kalkulimet dhe llogaritjet që bëhen edhe në kuptimin buxhetor dhe financiar”, ka potencuar Shala.

Deputeti tjetër opozitar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pjesë e Komisionit për Buxhet, Pal Lekaj, ka thënë për “KosovaPress” se qytetarët e kanë të vështirë jetesën në këtë kohë për shkak të rritjes së çmimeve, prandaj sipas tij, shfaqet nevoja edhe për rritje të pagës minimale deri në 350 euro.

“Ne si AAK kemi menduar të bëhet nivelizimi i pagave. Paga minimale duhet të jetë së paku 350 euro, duke pasur parasysh ngritjen e çmimeve”, ka thënë Lekaj.

Më herët, kryeministri Kurti pati deklaruar se përmes rritjes së pagës minimale në 250 euro për 40 orë pune në javë dhe rritjes së pragut të pagës, që nuk tatohet në nivelin e pagës minimale, ata të cilët kanë paga më të ulëta do të kenë më shumë para në xhep.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Christian Eriksen e ka bërë të qartë qëllimin për t’u…