Opozita kërkon të përmbyllet procesi i përzgjedhjes së guvernatorit të BQK-së

24 maj 2023 | 11:34

Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë kërkuar që sa më shpejt të futet në rend dite përzgjedhja e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se për momentin nuk ka më të rëndësishme sesa përzgjedhja e guvernatorit.

“Unë kam dërguar edhe e-mail ku kam pyetur se ku është procesi i përzgjedhjes së guvernatorit të BQK-së. Në media e kam lexuar se tash ka dhënë dorëheqje edhe zëvendësguvernatorja”, ka thënë Hoti në mbledhjen e Komisionit për Buxhet.

Të njëjtën gjë e ka kërkuar edhe deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

“Pajtohem me zotëri Hotin që të vije sot në këtë mbledhje, pavarësisht se kemi shumë pika të rendit të ditës. Në fund të ditës të vendoset në rend të ditës se ne ashtu kështu nuk mund ta diskutojmë për shkak të seancës, por e rëndësishme është që të vendoset në rend dite”, ka thënë Lushtaku.

Në fund, kryetari i këtij komisioni, Armend Muja, ka thënë se së shpejti do të futet në rend dite kërkesa e opozitës./EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
200 të burgosur shqiptarë në burgjet e Anglisë dhe Uellsit…