
Opozita nuk do qeverisje me Albin Kurtin
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mandatuar të shtunën liderin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, për të tentuar ta formojë Qeverinë e re të vendit, tetë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme.
Presidenca e Kosovës njoftoi në Facebook se Osmani e nënshkroi dekretin të shtunën për mandatimin e Kurtit, i cili është kryeministër në detyrë, për ta bërë Qeverinë e re.
Vendimi vjen pasi Kuvendi i Kosovës u konstituua përfundimisht me zgjedhjen e nënkryetarit të pestë dhe të fundit nga pakica serbe.
Pas mandatimit, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nëse arrihet një komunikim i suksesshëm për përbërjen e Qeverisë së re, atëherë nuk do të pritet afati i fundit kohor për formimin e saj, i cili është 26 tetori.
Kurti njoftoi se tashmë ka nisur një numërim mbrapsht drejt krijimit të Qeverisë Kurti 3.
Pas dekretimit të Albin Kurtit nga Presidentja Vjosa Osmani si mandatar për formimin e Qeverisë së re, Partia Demokratike e Kosovës ka mohuar çdo mundësi bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje.
Deputeti i kësaj partie, Ferat Shala ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës as nuk ka pasur ide, as qëllim e as kurrfarë aktiviteti në lidhje me ndonjë koalicion, duke shtuar se qëndrimet e partisë janë të qarta.
“As nuk ka pasur ide, as qëllim as kurrfarë aktiviteti në lidhje me këtë, qëndrimet e Partisë Demokratike janë të njohura nuk kemi asnjë lloj koalicioni, as nuk planifikojmë me Lëvizjen Vetëvendosje”, tha ai.
Shala tha se partia nuk ka ndërmend të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe nuk do të marrë pjesë në asnjë koalicion qeverisës, për shkak të dëmeve që, sipas tij, kjo parti i ka shkaktuar Kosovës.
“Nuk besoj që Partia Demokratike, voton një qeveri të Lëvizjes Vetëvendosje e cila e cila ka qenë deri tash në pushtet dhe Kosovës i ka pru izolim ndërkombëtar, sanksione evropiane, skamje dhe varfëri ekonomike dhe shumë dëme tjera që i ka sjell ekonomikisht dhe politikisht Kosovës”, tha ai.
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të bashkohet me Vetëvendosjen në koalicion për Qeverinë e re.
Deputeti i kësaj partie, Alban Zogaj ka deklaruar se qëndrimi i partisë nuk ka ndryshuar.
Rikujtojmë qëndrimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, të dhënë para disa muajve, sipas të cilit partia nuk ka plan të bashkëpunojë me Vetëvendosjen.
“Nuk duam, nuk kemi dhe nuk punojmë për bashkëpunim me ta. Ky ishte qëndrimi ynë paraelektoral dhe mbetet i njëjtë”, ka thënë ai.
Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Arbëreshë Krasniqi, ka deklaruar se partia e saj nuk ka marrë asnjë ftesë për takim nga Lëvizja Vetëvendosje pas dekretimit të Albin Kurtit.
Ajo ka shtuar se çështja e mundësisë për koalicion me Vetëvendosjen ende nuk është trajtuar brenda partisë, por ka theksuar se Nisma ka shqetësimet e veta.
“Nuk e kemi trajtuar këtë çështje, por i kemi shqetësimet tona”, tha Krasniqi.
Sipas deputetes, shqetësim për Nismën mbetet mbajtja e pozitës së kryeparlamentarit nga Dimal Basha.
“Për neve nuk është i denjë që Dimal Basha me mbajt pozicionin e kryeparlamentarit, ai duhet të dorëhiqet dhe të ketë aty një emër tjetër”, tha ajo.
Kur u pyet nëse Nisma do ta votonte qeverinë Kurti 3, Krasniqi tha se në rast se Dimal Basha dorëhiqet dhe kërkon falje mund të ketë hapësirë për diskutim, por në situatën aktuale partia nuk është e gatshme ta mbështesë.
“Ne rast se Dimal Basha dorëhiqet dhe kërkon falje, mendoj se ka hapësirë me diskutu por në këtë situatën e njëjtë nuk mendoj se nisma është e gatshme me i dhanë votë”, deklaroi ajo.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë të ditur se nuk pranon koalicion për formimin e Qeverisë.
Deputetja Time Kadrijaj ka konfirmuar se AAK nuk do ta votojë Qeverinë “Kurti 3’’./Front Online