
Opozita nuk i përkrahë marrëveshjet ndërkombëtare, akuzojnë LV-në për arrogancë
Partitë opozitare – PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk kanë votuar marrëveshjet ndërkombëtare që janë në rend të ditës në seancën e sotme. Ndonëse janë shprehur se nuk janë kundër këtyre marrëveshjeve, përfaqësuesit e partive opozitare kanë thënë se qasja e pozitës karshi kërkesave të tyre i ka shtyrë që të mos votojnë pro këtyre marrëveshjeve.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri është shprehur se qasja e mazhorancës karshi opozitës i ka shtyrë ata që të mos votojnë asnjë marrëveshje ndërkombëtare.
Edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi është pajtuar me Tahirin, duke thënë nuk do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare pasi shumica qeverisëse nuk është duke treguar vullnet bashkëpunimi dhe mirëkuptimi me opozitën.
Me qëndrimin e PDK-së dhe LDK-së është pajtuar edhe AAK-ja.
“Në shenjë proteste dhe mospajtimi me këtë qasje u dakorduam mos t’i votojmë sot këto marrëveshje”, ka thënë shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri.
Kritikave të opozitës i është përgjigjur shefja e grupit parlamentar të LV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cila ka thënë se si grup parlamentar i pozitës janë të gatshëm t’i qëndrojnë parapa të gjitha kërkesave racionale të cilat kanë të bëjnë në përmirësimin e demokracisë dhe punës së Kuvendit.
Për ratifikimin e këtyre marrëveshjeve janë të nevojshme mbi 80 vota të deputetëve.
Këto janë marrëveshjet që nuk u votuan:
Memorandumi i mirëkuptimit në mes të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Prishtinë, Kosovë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës për programin e shkëmbimit akademik Fulbright.
Marrëveshja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për statusin e pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Republikës së Kosovës dhe Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në territorin e shteteve përkatëse.
Marrëveshja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e Programit – nxitja dhe lejimi i mundësive për sigurinë e ujit.
Marrëveshja Ndërkombëtare në mes të Bashkimit Evropian nga njëra anë dhe Kosovës nga ana tjetër, për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit Horizon Europe – Korniza e programit për kërkimin dhe inovacionin.
Marrëveshja për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian – Evropa kreative (2021-2027).