Opozita nuk merr pjesë në dialogun me Serbinë

04 qershor 2021 | 11:04

Sikurse qeveritë e mëparshme, edhe qeveria Kurti do ta fillojë dialogun me Serbinë pa konsensus nacional. Para takimit Kurti – Vuçiq, që pritet të mbahet në pjesën e dytë të qershorit në Bruksel, subjektet politike opozitare kanë bërë me dije se nuk do të jenë pjesë e këtij dialogu. Përfaqësuesit e PDK-së, të LDK-së dhe të AAK-së kanë thënë se kontributin e tyre për këtë proces do ta japin në Kuvendin e Kosovës, derisa kanë kritikuar qasjen e qeverisë ndaj këtij procesi

Muhamet KOCI

Subjektet politike opozitare kanë bërë me dije se nuk do të jenë pjesë e procesit të dialogut me Serbinë i cili pritet të vazhdojë në pjesën e dytë të këtij muaji. Liderët e këtyre partive politike kanë thënë se kontributin e tyre në këtë proces do ta japin në Kuvendin e Kosovës derisa kanë kritikuar qasjen e kryeministri Kurti në këtë proces.

PDK-në, LDK-në dhe AAK-në nuk i kanë bindur për të qenë pjesë e këtij procesi as zëvendësndihmës-sekretari i Shtetit të ShBA-së, Matthew A. Palmer, dhe përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, të cilën në fillim ta javës kanë vizituar Kosovën dhe janë takuar me lidershipin e këtyre partive.

Ushtruesi i detyrës i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili ka refuzuar të takohet me kryeministrin për çështjen e dialogut me Serbinë, ka thënë se qeveria fillimisht duhet ta sjellë në Kuvend platformë për këtë proces.

“Albin Kurti, si kryeministër, do të duhej ta sillte në Kuvend një platformë që do t’i ngërthente në vete parimet, qëllimet, afatet kohore dhe vijat e kuqe të dialogut. Vetëm pasi të dorëzohej një platformë e tillë, atëherë të vinte një ftesë për opozitën. Sot për sot ai është pa platformë, pa vizion dhe po ik nga zotimet e tij. Këtë ai e vërtetoi edhe me mbështetjen për krijimin e Jugosllavisë së Re. Opozita nuk ka pse të bëhet pjesë e këtyre mashtrimeve”, ka shkruar Hoxhaj ditë më parë në profilin e vet në “Facebook”.

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë me dije se kjo parti nuk do të jetë pjesë e këtij procesi, ndonëse kishte shkuar në takim me kryeministrin për të diskutuar për këtë çështje. Në tryezën e organizuar nga Lëvizja FOL, ai ka adresuar kritika për qeverinë Kurti që, sipas tij, e kanë nisur dobët punën me ekzekutivin.

“LDK-ja e ka bërë të qartë qëndrimin e saj qeverisës. LDK-ja nuk merr pjesë në dialog. LDK-ja i ka dorëzuar një dokument që mund t’i ndihmojë, sepse nuk po di. Kjo qeveri është e papërgatitur për të marrë pjesë në dialog. Kemi qeveri që nuk ka pozicion politik rreth dialogut. Në takim me Kurtin i kam kërkuar të ketë pozicion politik të qartë sepse duhet t’ua prezantojë qytetarëve, shoqërisë civile dhe ekspertëve. Dokumenti që i kemi dorëzuar përmban disa parime rreth të cilave duhet të sillet Kosova, mos të diskutohet për Kosovën, por të diskutohet me Kosovën si palë. Kosova ta respektojë vendimin e GjND-së sa i përket statusit të saj. Të ketë konfirmim të plotë të qeverisë që çështjet e organizimit territorial nuk do të diskutohen në dialog”, ka thënë Abdixhiku.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka thënë se presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë përjashtuar opozitën nga çdo lloj konsultimi gjatë procesit të formimit të institucioneve. Dhe në këtë drejtim, Lekaj ka pohuar se opozita duhet ta refuzojë çfarëdo ftese apo pjesëmarrje që ka për qëllim dialogun me Serbinë. “Jo. Opozita duhet ta refuzojë çfarëdo ftese apo pjesëmarrje që ka për qëllim dialogun me Serbinë, sepse si presidentja si kryeministri kanë përjashtuar opozitën nga çdo lloj konsultimi të procesit të formimit të institucioneve dhe gjatë kësaj kohe ata tashmë e kanë të qartë rrugën e tyre. Ata kanë zgjedhur që të udhëheqin të vetëm dhe e kanë shndërruar Kosovën në vend monist, andaj të vetëm t’i udhëheqin edhe bisedimet me Serbinë”, ka thënë Lekaj për gazetën “Epoka e re”.

Ai ka deklaruar se opozita do ta monitorojë dialogun në parlament. “Ne do ta monitorojmë dialogun në parlament. I dimë premtimet e z. Kurtit që i ka premtuar në fushatë, që nuk do të ketë Zajednicë dhe nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Nga këto premtime nuk do të lejojmë që të devijojë”, ka thënë Lekaj.

Në takimet me zëvendësndihmës-sekretarin e shtetit të ShBA-së, Matthew A. Palmer, zyrtarët e PDK-së, të LDK-së dhe të AAK-së kanë kërkuar rol më të madh të Shteteve të Bashkuara në dialogun me Serbinë. Ndërsa zyrtari i lartë amerikan ka theksuar se ShBA-ja, ndonëse nuk është palë në dialog, është e përfshirë në mënyrë aktive për normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi. “Shtetet e Bashkuara nuk janë palë në procesin e bisedimeve, por jemi partnerë në këtë proces. Jemi të angazhuar në mënyrë aktive duke punuar me Beogradin e Prishtinën, duke punuar me zotin Lajçak dhe ekipin e tij për mbështetjen e një marrëveshjeje për normalizimin e plotë. Kjo është një pjesë e rëndësishme e përpjekjeve të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për ta mbështetur dhe çuar përpara synimin për integrimet euroatlantike për gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar Palmer në Prishtinë, në konferencën e përbashkët me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak.

BE-ja e sheh si vazhdim dhe jo si fillim të ri dialogun

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se takimet e ardhshme në kuadër të dialogut me Serbinë e sheh si një nisje të re, e jo si vazhdim të dialogut të deritashëm. Bashkimi Evropian ka bërë me dije se takimet e ardhshme ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë janë vazhdim i dialogut, e jo ndonjë fillim i ri i procesit.

Gjithashtu, BE-ja ka vlerësuar ka përsëritur thirrjet që të zbatohen marrëveshjet e arritura deri me tash në dialog.

“Rruga drejt BE-së për Kosovën dhe Serbinë, shkon përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky dialog ka nisur në vitin 2011 dhe vazhdon me takimin e nivelit të lartë së shpejti. Në kuadër të procesit që është në vazhdim e sipër, janë ndërruar qeveritë në të dyja anët, por përkushtimi ka mbetur. Të gjitha çështjet e diskutuara deri më tash dhe që do të diskutohen në të ardhmen në kuadër të dialogut, janë kyçe për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë për REL zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme, Peter Stano.

Ai ka shtuar se Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare presin nga të dyja palët që ta vazhdojnë përkushtimin e tyre për angazhim në këtë dialog dhe t’i zbatojnë marrëveshjet e mëparshme. “BE-ja dhe shtetet anëtare të saj presin nga autoritetet e reja në Prishtinë që të angazhohen në mënyrë konstruktive, me qëllim të vazhdimit të takimeve në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe ta shfrytëzojnë rastin që ta sjellin këtë proces deri te një përmbyllje e suksesshme”, ka thënë ky zëdhënës i BE-së.

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, ka bërë me dije se qëllimi i kësaj vizite në Kosovë ka qenë përgatitja e takimit në mes të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë. Ai nuk ka treguar se me cilën datë do të ndodhë takimi. “Qëllimi kryesor i kësaj vizite është përgatitja e takimit të parë të nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiq, që do të mbahet për pak ditë”, ka thënë Lajçaky.

KDI-ja: Kryeministri të raportojë në Kuvend për përgatitjet rreth dialogut

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të përfshihet në mënyrë më dinamike në dialogun Kosovë – Serbi. Duke përmendur takimet e kryeministrit Kurti në Bruksel, vizitat e lehtësuesve të dialogut nga ShBA-ja dhe BE-ja, por edhe përgatitjet për takimin e paralajmëruar në mes të kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë në qershor, KDI-ja ka vlerësuar se Kuvendi ka mbetur në margjinë të këtyre dinamikave. “Duke qenë se kuadri kushtetues e përcakton Kuvendin si organin më të lartë mbikëqyrës të politikës së jashtme, e për rrjedhojë edhe të dialogut me Serbinë, KDI konsideron që grupet parlamentare dhe deputetët duhet ta marrin përgjegjësinë kryesore për diskutimet që ndërlidhen me përgatitjet, por edhe vetë të ardhmen e këtij procesi, duke vënë në përdorim mekanizmat e garantuar të kërkim-llogaridhënies ndaj ekzekutivit. Në këtë mes, KDI vlerëson si pozitive diskutimet e fundit në mes të kryeministrit dhe liderëve politikë, por nuk i sheh të mjaftueshme”, ka vlerësuar KDI-ja në një komunikatë për medie.

KDI-ja ka ftuar kryeministrin që në funksion të transparencës të ketë raportime të rregullta për dialogun në Kuvend. “Prandaj KDI i bën thirrje Kuvendit të ftojë sa më parë në raportim kryeministrin Kurti, duke kërkuar nga ai ofrimin e informacioneve lidhur me përgatitjet aktuale të Kosovës në prag të rifillimit të procesit të dialogut dhe platformën e Kosovës për këtë proces. Ndërsa nga kryeministri Albin Kurti kërkojmë që, në funksion të transparencës së procesit, të ketë raportime të rregullta me vetiniciativë para Kuvendit për të gjitha zhvillimet lidhur me dialogun, duke përfshirë edhe fazën përgatitore që do t’i mundësonte Kuvendit ushtrimin e një mbikëqyrje më proaktive”, ka vlerësuar KDI-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anesa Buzaku shpall të pavlefshme dëftesën e klasës së dhjetë…