Opozita: Platforma për dialog, e varfër dhe me shumë të meta

21 prill 2018 | 17:03

Presidenti Hashim Thaçi të premten ka pranuar nga kryeministri Ramush Haradinaj platformën shtetërore të Republikës së Kosovës për finalizimin e dialogut me Serbinë.

Me këtë rast, Thaçi ka thënë se finalizimi i dialogut është një mundësi e mirë për Kosovën që të afrohet me Bashkimin Evropian dhe ta forcojë edhe më shumë subjektivitetin ndërkombëtar.

Ndërkohë partitë opozitare janë shprehur të pakënaqura me përmbajtjen e platformës shtetërore të Republikës së Kosovës për finalizimin e dialogut me Serbinë.

Shefi i grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka vlerësuar se ky dokument është i varfër në përmbajtje pasi, sipas tij, nuk definon as temat për diskutim, as parimet dhe as afatet kohore.

Po ashtu, ai ka shprehur pakënaqësinë lidhur me rolin që i jep kjo platformë presidentit në procesin e dialogut, duke theksuar se ky rol i atribuohet atij në mungesë të fuqisë së koalicionit qeverisës për t’i udhëhequr proceset madhore të vendit, shkruan “Epoka e re”.

“Platforma e re për dialog me Serbinë është e varfër në përmbajtje, nuk definon temat, parimet dhe afatet. Nuk përfshihen çështjet kryesore: të pagjeturit, kompensimi i dëmeve, kthimi i pensioneve etj. Dialogu i lihet në dorë presidentit, që reflekton pafuqinë e koalicionit të pakicës për t’i udhëhequr proceset madhore. LDK-ja do të marrë vendim, në konsultim me grupin parlamentar. Një gjë është e qartë, se Qeveria e pakicës nuk mund të dialogojë për çështje nacionale. Nuk do të lejojmë që njerëz të etur për pushtet, që nuk përfaqësojnë shumicën e qytetarëve të Kosovës, të dialogojnë në emër të Kosovës”, ka deklaruar Hoti në konferencën javore të grupit parlamentar të LDK-së.

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Ismajl Kurteshi, ka kritikuar përmbajtjen e kësaj platforme duke thënë se ka shumë të meta.

Ai ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se si e tillë kjo platformë nuk do ta marrë mbështetjen e Kuvendit të Kosovës.

“Platforma ka shumë të meta dhe gjëra të cilat janë të papranueshme për ne. Kjo platformë duhet të vijë në Kuvend, ku subjektet politike duhet të përcaktohen për të. Në fakt, platforma për bisedime me Serbinë duhet të jetë shumë më ndryshe nga kjo që është prezantuar dhe miratuar nga Qeveria. Ata po e quajnë platformë, po ky është vetëm një lloj propozimi sepse platforma duhet të përmbajë elemente të tjera. Nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve derisa nuk insistohet dhe nuk arrihet që Kosova të pranohet shtet i pavarur nga Serbia. Prandaj kjo platformë nuk do ta marrë mbështetjen e Kuvendit”, ka deklaruar Kurteshi.

Megjithatë, ai ka thënë se ky propozim mund të plotësohet me sugjerimet e subjekteve politike dhe në fund mund të dalë një platformë si duhet.

“Partitë politike në Kuvend mund të diskutojnë dhe t’i japin propozimet e tyre për të plotësuar këtë propozim. Ne si Vetëvendosje ende nuk jemi ulur të diskutojmë se cilat do të jenë propozimet tona, por natyrisht se do t’i kemi sugjerimet në lidhje me platformën e bisedimeve dhe një pjesë e tyre tanimë janë të njohura për opinionin”, ka theksuar Kurteshi.

Sipas Kurteshi, do të ishte mirë që partitë politike shqiptare të arrijnë një konsensus për dialogun me Serbinë.

Ai ka shprehur optimizëm se ky konsensus mund të arrihet në rast se synohet normalizim i vërtetë i marrëdhënieve në mes të dy vendeve.

“Mendoj se do të ishte mirë të arrihet një konsensus politik karshi Serbisë nga subjektet politike shqiptare. Se sa është e mundur një gjë e tillë, është mjaft e vështirë, megjithatë mendoj se është e mundur nëse synohet që normalizimi të jetë i vërtetë dhe jo të mbetet vetëm në mënyrë deklarative, kurse në anën tjetër të realizohen synimet e Serbisë. Nëse Serbia synon në realizimin e ndarjes së Kosovës që ka filluar një herë me decentralizimin e tash me asociacionin, do të ketë probleme”, ka deklaruar Kurteshi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbretëresha Elizabeth II, monarkja më jetëgjatë e Mbretërisë së Bashkuar,…