Opozita problemin më të madh e ka se kush do të bëhet kryeministër

14 korrik 12:15

Analisti politik Behxhet Shala e sheh shumë të vështirë një bashkëpunim apo koalicion në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-së) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LV-së).

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re” ai ka thënë se këto dy parti nuk kanë asnjë pikë të përbashkët.

Sipas Shalës, problemi kryesor ndërmjet këtyre dy partive do të jetë posti i kryeministrit.

Ai ka bërë me dije se partitë politike në vend tani janë në pat pozicion. Shala ka vlerësuar se as zgjedhjet e parakohshme nuk do të sillnin diçka të re.

Sipas tij, e keqja e Kosovës është se në horizontin politik nuk ka ndonjë forcë politike e cila do t’i siguronte qytetarët se do të bënte reforma të thella

“Epoka e re”: Z. Shala, opozita çdo ditë po paralajmëron se shumë shpejt do ta rrëzojë qeverinë, ndërsa pozita po e quan joserioze iniciativën e subjekteve opozitare për ta rrëzuar qeverinë me anë të mocionit të mosbesimit?
Shala: Opozita e ka ndërmend ta shpenzojë tërë mandatin duke e kërcënuar qeverinë me mocion, ndërsa deri më tani nuk ia ka arritur. Opozita shpesh po deklarohet se i ka votat e nevojshme. Madje deputeti Ilir Deda deklaroi se kanë pasur mundësi ta rrëzojnë qeverinë në muajin qershor. Ma merr mendja se nuk e kanë rrëzuar muajin e kaluar për ta prishur pushimin. Opozita vazhdimisht po deklarohet se është afër që t’i sigurojë votat e nevojshme për rrëzimin e qeverisë. Mendoj se të dyja palët janë joserioze në këtë aspekt. Në Kosovë të jesh joserioz është gjendje normale. Në anën tjetër, pozita po thotë se kurdo që opozita t’i bëjë 61 vota le ta rrëzojë qeverinë. Ajo e di se opozita nuk i ka votat.

“Epoka e re”: Kjo opozitë, a mund ta rrezojë qeverinë?
Shala: Në këtë drejtim Lisa Serbe është bërë si mollë sherri, gjoja se me këtë subjekt politik nuk do të rrëzohet qeveria. Jemi në një gjendje që opozita nuk është e koordinuar si duhet dhe, po ashtu, duket se në mesin e opozitës nuk ka gatishmëri për ta rrëzuar pozitën. E kemi parë se kur Shpend Ahmeti takohet me Ramush Haradinajn shkrihet. Dhe ka raporte aq të mira sa nuk besoj se ka dëshirë apo guxim ta prishë atë harmoni me Haradinajn dhe ta përkrahë mocionin për rrëzimin e qeverisë. Tani për tani jemi në pozicionin pat. Opozita nuk ka mundësi t’i bëjë votat e nevojshme për ta rrëzuar qeverinë, ndërsa pozita po frikësohet pak, por jo aq shumë sa të trembet se mund të rrëzohet nga kjo opozitë, sepse e di që opozita nuk i ka votat e nevojshme.

“Epoka e re”: Deri kur mendoni se do të mund të vazhdojë ky pat pozicion?
Shala: Pat pozicioni do të vazhdojë derisa nuk mbledhin mend pozita dhe opozita. Opozita duhet ta ndaj mendjen nëse vërtet do ta rrëzojë qeverinë. Partitë opozitare duhet ta kenë një takim, ku liderët e tyre e marrin një vendim për rrëzimin e qeverisë. Deri më tani nuk kemi parë kësi gatishmërie, sepse opozita problemin më të madh e ka se kush do të bëhet kryeministër në të ardhmen. A do të jetë kryeministër Albin Kurti apo a do të jetë president Isa Mustafa. Ndërsa PSD-ja nuk besoj se ka shumë dëshirë që Albin Kurti të bëhet kryeministër, sepse nuk do të ndihej rehat. Po ashtu, edhe disa subjekte të koalicionit qeverisës nuk janë të interesuar ta rrëzojnë këtë qeveri. Nisma dhe AKR-ja postet që kanë në këtë qeveri në të ardhmen vetëm mund t’i ëndërrojnë. Pra, nuk heqin dorë aq lehtë nga pushteti sepse u ka sjellë shumë privilegje.

“Epoka e re”: Lideri i LDK-së ka paralajmëruar mundësinë e një bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje në mënyrë që qeveria e ardhshme të mund të formohet nga opozita e tanishme. Sa besoni se është i mundshëm ky bashkëpunim?
Shala: Nëse e marrim profilin politik të Lëvizjes Vetëvendosje dhe atë të LDK-së, dhe nëse marrim të kaluarën e afërt dhe të largët të këtyre dy subjekteve politike, atëherë do të bindeni se ky është koalicioni më i panatyrshëm. Pothuajse këto dy parti politike nuk e kanë asnjë pikë të përbashkët, as në aspektin politik, as në atë kombëtar e as në aspektin strategjik. Këto subjekte politike i lidhë vetëm interesi për ta rrëzuar këtë qeveri dhe shpresa për ta marrë pushtetin në të ardhmen. Kështu që, nuk besoj se mund të funksionojë ky koalicion edhe nëse shkohet në zgjedhje. Mendoj se posti i kryeministrit do të jetë problem për një bashkëpunim të mundshëm të këtyre dy subjekteve politike, po ashtu edhe posti i ministrit të Drejtësisë dhe atij të Punëve të Brendshme. Mendoj se Lëvizja Vetëvendosje do ta aspirojë postin e kryeministrit, sepse ky ka qenë synimi i Albin Kurtit. Lëvizja Vetëvendosje, për ta dëshmuar përpjekjen se do ta luftojë korrupsionin apo krimin e organizuar, domosdoshmërisht do të kërkojë ta ketë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Drejtësisë. Po flas hipotetikisht, nëse i merr këto dy ministri, atëherë duhet t’i bjerë fort edhe LDK-së, edhe një pjese të LV-së që nuk është shumë e pastër. Natyrisht se vështirë do të mund ta lejonte këtë LDK-ja. Në këtë mënyrë, përveç luftës për pushtet, këto dy parti nuk kanë asnjë pikë tjetër të përbashkët. Nëse Lëvizja Vetëvendosje hyn në një koalicion me LDK-në, këta janë në një farë ndërvarësie mes vete dhe nuk do të mund të bëjnë ndonjë veprim pa u konsultuar njëra me tjetrën. Nuk besoj se do të lejojnë të vijnë në një gjendje që ta godasin njëra-tjetrën. Prandaj, është bukur problem të besohet se mund të arrihet një koalicion i tillë dhe të funksionojë. Kosova ka nevojë të lirohet nga dukuritë negative si korrupsioni, krimi i organizuar dhe nepotizmi.

“Epoka e re”: Në bazë të këtyre rrethanave, kur mund të shkojë vendi në zgjedhje të reja?
Shala: Në një shkrim për gazetën tuaj para disa muajve pata paralajmëruar se në fund të vjeshtës mund të ketë zgjedhje. Ende besoj se mund të ketë zgjedhje në këtë kohë. Natyrisht se pozitës nuk i takon të pranojë se do të ketë zgjedhje këtë vit, sepse pozita nuk është aq e sigurt se nëse shkohet në zgjedhje do të mund ta ruante pozicionin që ka.

“Epoka e re”: A do të ishin zgjedhjet e reja zgjidhje?
Shala: Fatkeqësisht, nuk kemi ndonjë zgjidhje e cila ofron përmirësim të situatës në mënyrë të shpejtë. Ta zëmë se në pushtet do të vijë LDK-ja në koalicion me LV-në dhe me ndonjë subjekt tjetër politik, prapë nuk do të jemi në gjendje t’i lëvizim gjërat në ndonjë shpejtësi të dëshiruar. Është problem, për të mos thënë e pamundur, që në Kosovë të ketë ndryshime të mëdha, të cilat do t’i dëshironin qytetarët e vendit. Nuk mund të bëhen ndryshime me njerëz që janë në pushtet që 20 vjet. Këtu e kam fjalën për LDK-në. Po i shihni se çka po ndodh në këto kuvende zgjedhore të LDK-së. Pothuajse aty nuk ka asnjë forcë të re, aty janë ata njerëz me ambicie shumë karrieriste dhe janë shndërruar në despotë të vërtetë brenda kësaj partie. Këta nuk janë njerëzit që i sjellin ndryshime vendit. Pastaj Isa Mustafa nuk e ka autoritetin që ka pasur më herët dhe po shihet se i ka dalë situata nga duart. Pothuajse në çdo kuvend të LDK-së kemi përplasje apo hedhje të karrigeve, që më herët nuk ka ndodhur, përjashto atë kuvendin e famshëm kur u nda LDK-ja. Në këtë proces po tregohet se LDK-ja nuk është e gatshme t’u japë hapësirë forcave të reja politike të cilat e duan një reformë. Një LDK e tillë është e pamundur të bëjë ndryshime. Pra, LDK-ja e sotme nuk është partia e cila merr vendime të rëndësishme për shtetin. Kjo pjesa më e vjetër e LDK-së është një partive akomoduese e cila e ka një retorikë të fortë, por ku vjen puna për të marrë vendime, nuk është në gjendje të marrë ndonjë vendim. As Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka më atë prestigjin që ka pasur më herët pas ndarjes. Mos të flas për partitë në pushtet të cilat nuk bëjnë ndonjë dallim. Pra, e keqja e Kosovës është se në horizontin politik nuk ka ndonjë forcë politike e cila siguron se do të ketë reforma në të mirë të qytetarëve apo t’i shtyjë proceset përpara. Në të gjitha partitë politike, përveç AAK-së, ka tendenca të përçarjes dhe një luftë për pushtet brenda partisë. Në këtë mënyrë nuk mund të ecet përpara.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shawn Mendes dhe Camila Cabello me sa duket më në…