Opozita s’duhet ta votojë Presidentin pa kompromis
Shkruan: Blerim Canaj
Kur të vie koha, opozita në asnjë mënyrë nuk duhet ta votojë Presidentin pa kompromis. Këtë hap ajo nuk duhet ta bëjë si akt obstruksioni politik, por si akt mbrojtës të rendit demokratik.
Në demokracitë kushtetuese Presidenti/ja nuk është dekor institucional dhe as instrument i shumicës parlamentare. Ai/ajo është pjesë e „checks and balances“ i/e projektuar pikërisht për të frenuar shndërrimin e shumicës elektorale në pushtet absolut. Nga ajo qe kemi parë dhe përjetuar viteve të fundit ne Kosovë, kemi vërejtur qartazi që kur Presidenti/ja zgjidhet pa marrëveshje politike dhe pa konsensus minimal, ai/ajo humb funksionin e tij/saj korrigjues dhe reduktohet në zgjatim të ekzekutivit. Ky është një proces tipik i asaj që Fareed Zakaria e ka quajtur “demokraci joliberale” (illiberal democracy) ku zgjedhjet faktikisht dhe juridikisht ekzistojnë, por kufizimi i pushtetit zhduket!
Kjo logjikë është e lidhur drejtpërdrejt me „majoritarianism“ ku shumica e përkohshme e barazon fitoren elektorale me të drejtën për të sunduar pa kufij. Siç argumenton Jan-Werner Müller, populizmi qeverisës nuk e njeh opozitën si përfaqësuese legjitime, por si devijim moral nga “vullneti i popullit”. Në këtë kuptim, refuzimi i kompromisit nuk është neutralitet, por pranim i tezës se vetëm shumica ka të drejtë të ekzistojë politikisht.
Në këtë kontekst duhet kuptuar edhe retorika e krekosjes politike dhe kërcënimet me zgjedhje të reja në rast të mosvotimit të presidentit/es, të shoqëruara me paralajmërime për përqindje gjithnjë e më të larta. Kjo nuk është shprehje e konkurrencës demokratike, por element klasik i „electoral authoritarianism“ sipas konceptualizimit të Steven Levitsky dhe Lucan Way. Ata pėrshkruajnë se si zgjedhjet shndërrohen në instrument legjitimues të pushtetit e nuk mbrten mekanizëm llogaridhënjeje. Andaj, sa më e thellë që është fitorja, aq më e dobët bëhet demokracia substanciale.
Për këtë arsye, opozita realisht nuk ka çka humbë nga zgjedhjet. Edhe për Kosovën nuk ndryshon asgjë thelbësore edhe nëse partia në pushtet do të merrte mbi 70 për qind të votave. Me 50%+ dhe me Presidentin e kontrolluar, apo edhe me 90%, struktura e pushtetit mbetet e njëjtë me përqendrim të kompetencave, me delegjitimim të opozitës dhe neutralizim të institucioneve mbikëqyrëse. Kështu diferenca mbetet vetëm numerike por jo strukturore.
Pretendimi eventual se opozita, duke kërkuar kompromisin, “rrezikon rendin politik”, është pjesë e diskursit tipik të demokracisë joliberale, ku stabiliteti barazohet me nënshtrimin dhe rendi me heshtjen. Juan Linz ka paralajmëruar se pikërisht ky lloj “stabiliteti i imponuar” është pararendës i degradimit demokratik, sepse e zhvesh sistemin nga kapaciteti për vetëkorrigjim.
Prandaj opozita ka jo vetëm interes politik por edhe obligim normativ të hyjë edhe një herë në betejë institucionale dhe nëse është e nevojshme edhe zgjedhore. Jo për iluzion fitoreje të shpejtë, por për të mos ia dorëzuar pa rezistencë hapësirën publike një procesi të konsolidimit autokratik që maskohet si vullnet popullor.
Dhe nëse edhe kjo përpjekje dështon, atëherë në mënyrë eksplicite zgjidhet dilema demokratike sepse qytetari do ta ketë legjitimuar këtë model pushteti dhe do të ketë pranuar pasojat e tij. Sepse, siç dëshmon literatura klasike e demokratizimit, demokracia nuk shembet vetëm nga abuzimi i pushtetit, por edhe nga pranimi shoqëror i pushtetit pa kufij.



