
Opozita serbe i kërkon BE-së sanksione kundër Vuçiqit, Macutit, Brnabiqit dhe Daçiqit
Një pjesë e përfaqësuesve të pesë partive opozitare nga Serbia, të cilët dje në Strasburg iu drejtuan deputetëve të Parlamentit Evropian (PE) për të folur mbi situatën aktuale politike në Serbi, kanë kërkuar vendosjen e sanksioneve ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetërorë.
Bashkëkryetarja e Frontit të Gjelbër-majtë (ZLF), Biljana Gjordjeviq, deklaroi se kjo parti, së bashku me Lëvizjen e Qytetarëve të Lirë (PSG), udhëheqësi i së cilës, Pavle Grboviq, gjithashtu mbajti fjalë, kërkojnë dënim të qartë të brutalitetit policor dhe të veprimeve të grupeve paraushtarake ilegale, si dhe vendosjen e sanksioneve konkrete si ngrirja e pasurisë dhe ndalimi i udhëtimit për zyrtarët e lartë shtetërorë që kanë mbështetur dhunën ndaj protestuesve.
Gjordjeviq theksoi se këto parti kërkojnë sanksione për Vuçiqin, kryeministrin Gjuro Macuta, kryetaren e parlamentit Ana Bërnabiq dhe ministrin e brendshëm Ivica Daçiq.
“Kërkojmë sanksione, ndalim udhëtimi dhe ngrirje pasurie për aktorët kyç të regjimit – Bërnabiq, Vuçiq, Macuta, Daçiq, nga policët te zyrtarët që kanë ushtruar torturë”, deklaroi ajo, duke shtuar se është e nevojshme të hetohet nëse “paratë e taksapaguesve evropianë po përdoren për korrupsionin e kupolës shtetërore të Serbisë”.
Përfaqësues të Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë (SSP), ZLF, PSG, Qendrës së Serbisë (SRCE) dhe Lëvizjes Popullore të Serbisë (NPS) folën për situatën aktuale politike në Serbi gjatë një diskutimi në panelin “Serbia: Demokracia në një udhëkryq”, organizuar nga tre grupe politike në Parlamentin Evropian – Socialistët dhe Demokratët, Të Gjelbrit dhe Rinovojmë Evropën. Në diskutim morën pjesë edhe eurodeputetët Katlin van Brent (Socialistët dhe Demokratët), Vladimir Prebiliç (Të Gjelbrit) dhe Helmut Brandšteter (Rinovojmë Evropën).