Ora 24

01 janar 2024 | 11:11

Shefkije Islamaj

Dhe, ’23-ta iku, ia lëshoi vendin pasardhësit të radhës. 2024-ta çeli siparin dhe pikërisht në këtë çast po na e dhuron gjasën për një fillim të ri, të mbarë, shpresëdhënës, frymëzues, të dëshirueshëm, por dhe mundësinë e hapur të plotësimit të qëllimeve tona gjatë 366 ditëve të vitit të brishtë.
Është, vërtet, gjasa e mirë të mendojmë e të përsiasim për dëshirat, qëllimet, vendimet, për sfidat tona, për jetën tonë në vijim. Dhe, rast i mirë edhe për ta “ndryshuar” veten, sepse, siç e thotë Bernard Shou: “Ata që nuk mund të ndryshojnë mendjen e vet nuk mund të ndryshojnë asgjë.”
Është rast i mirë, po kështu, ta kuptojmë se në veprimet tona duhet të jemi të qëndrueshëm, këmbëngulës e kërkues po aq sa në mendimet.
Është rast i mirë të përpiqemi të bëhemi më dashamirës, më zemërgjerë e më mendimmbarë, më të dashur, sepse si e thotë bukur Van Gogu: “Sa më shumë e mendoj aq më shumë e kuptoj që s’ka gjë më artistike sesa të duash të tjerët.”
Ta dëgjojmë atëherë Van Gogun e papërsëritshëm e të
jetojmë artistikisht.
Është rast i mirë, po kështu, të mundohemi të veprojmë në përputhje me ndërgjegjen e lartë, me të drejtën e me të vërtetën, sepse, e thotë Ajnshtajni mendjesipëror: “Dobësia e sjelljes mund të na bëhet dobësi e karakterit.”
Dhe, është rast i mirë të mos ndalemi asnjë çast dhe këtu thërras në ndihmë Martin Luther Kingun përvojëmadh:
“Nëse s’mund të fluturosh, vrapo, nëse s’mund të vraposh, ec, nëse s’mund të ecësh, kacavaru, por si do që të jetë, vazhdo të ecësh përpara.”
Dhe kjo këshillë vlen edhe për ’24-ën: ec, vrapo, fluturo, kacavaru, siç bën vetë jeta.
Miq të dashur:
Gëzuar Viti i Ri 2024, sot e mot! Qoftë fatbardhë për të gjithë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
2023-shi ishte kuqezi! Një nga ngjarjet që shenjuan vitin që…