Orav: Kosova ka nevojë për qeveri stabile dhe dialog të vazhdueshëm me Serbinë
Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri të qëndrueshme, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Ai këto komente i ka bërë gjatë Samiti të Paqes dhe Demokracisë në Kosovë (KPDS) me temën “Çrregullim i ri botëror: dezinformim, mosbesim dhe çmontim i normave demokratike”.Ai gjatë këtij samiti tha se dezinformimi, polarizimi dhe sulmet ndaj normave demokratike po kërcënojnë themelet e besimit dhe angazhimit qytetar”.
Orav ka theksuar se hapësira informative e Kosovës mbetet e cenueshme ndaj manipulimit dhe ndikimit të jashtëm, ndërsa qytetarët janë të ekspozuar ndaj dezinformimit për shkak të mungesës së edukimit medial sistematik.
Më tutje, Orav ka bërë thirrje për një qeveri funksionale dhe ka theksuar nevojën për dialog me Serbinë.
“Për pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor, mundësia ekziston, por kërkon angazhim serioz. Në këtë kontekst, rruga e Kosovës ka rëndësi të veçantë. Bashkimi Evropian ka qenë i qartë: përparimi varet jo vetëm nga reformat e brendshme, por edhe nga avancimi i dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kjo kërkon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve bilaterale, forcimin e institucioneve demokratike, mbrojtjen e lirisë së mediave, sigurimin e sundimit të ligjit dhe ruajtjen e karakterit shumetnik të Kosovës. Këto nuk janë pengesa të vendosura nga Bashkimi Evropian- ato janë themele për një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë. Kosova ka bërë përparim të konsiderueshëm. Por për të ecur përpara, na duhet qeveria këtu sa më shpejt të jetë e mundur. Na nevojitet një partner. Bashkimi Evropian duhet të mbetet i angazhuar, i qëndrueshëm dhe mbështetës. Dhe ne jemi. Angazhimi ynë ndaj rajonit është thelluar, jo dobësuar. Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për të mbështetur Kosovën në këtë rrugëtim”, ka thënë Orav.



