Orav s’ka ‘përgjigje përfundimtare’ për masat e BE-së, thotë se diskutimet po vazhdojnë
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se për masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës nuk ka “një përgjigje përfundimtare”.
Ai ka përmendur rekomandimin e ish-përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, për heqjen e tyre dhe ka thënë se diskutimet brenda Këshillit Evropian vazhdojnë.
“Kam frikë se nuk mund t’i jap një përgjigje përfundimtare kësaj pyetjeje. Siç e dini, ish-Përfaqësuesi i Lartë i rekomandoi Këshillit në qershor 2024 heqjen e masave. Më pas, në dhjetor 2024, Këshilli në konkluzionet e tij për zgjerimin deklaroi se BE-ja gradualisht do t’i heqë masat paralelisht me hapat e mëtejshëm të Kosovës për të de-përshkallëzuar tensionet në veri. Diskutimet brenda Këshillit vazhdojnë dhe vendimi nëse masat do të hiqen përfundimisht i takon 27 vendeve anëtare të BE-së, pasi një vendim i tillë kërkon konsensus”, ka thënë ai për “Kosovo Online”.
Orav ka thënë se përfaqësuesja e re e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, dëshiron që Kosova të përparojë në rrugën e saj drejt BE-së.
“Kusht thelbësor për rrugën drejt BE-së si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë është normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i zotimeve të dialogut”, përsëriti ai thirrjet e Unionit për Kosovën e Serbinë.



