Orbanit po i hiqet mundësia e bllokimit të vendimeve të BE-së
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, është shprehur lidhur me njoftimin për votimin e sotëm në Bruksel, ku vendet anëtare të BE-së pritet të marrin vendim për ngrirjen afatgjatë të pasurisë së Bankës Qendrore Ruse. Për këtë arsye, kryeministri hungarez ka reaguar me zemërim.
Ndër të tjera, ai ka thënë se në mesditë do të mbahet një votim me shkrim, i cili do t’i shkaktojë dëme të pariparueshme Bashkimit Evropian.
“Sot, Brukseli kalon Rubikonin. Tema e votimit është pasuria e ngrirë ruse, për të cilën vendet anëtare të BE-së deri tani kanë votuar çdo gjashtë muaj dhe kanë marrë vendime unanime. Me procedurën e sotme, Brukseli me një shkrim heq kërkesën për unanimitet, gjë që është qartazi e paligjshme”, ka thënë lideri hungarez.
Orbani ka theksuar gjithashtu se me vendimin e sotëm, sundimi i ligjit në Bashkimin Evropian po merr fund, ndërsa liderët evropianë po vendosin mbi rregullat.
“Në vend që të sigurojnë respektimin e traktateve të BE-së, Komisioni Evropian sistematikisht shkel ligjin evropian. Ai e bën këtë për të vazhduar luftën në Ukrainë, një luftë që duket se nuk mund të fitohet. E gjithë kjo po ndodh në mes të ditës, pak më pak se një javë para takimit të Këshillit Evropian, organi më i rëndësishëm i BE-së për vendimmarrje që mblidh kryetarët e shteteve dhe qeverive. Me këtë, sundimi i ligjit në BE po zëvendësohet nga sundimi i burokratëve. Me fjalë të tjera, është vendosur një diktaturë e Brukselit. Hungaria proteston kundër këtij vendimi dhe do të bëjë gjithçka që është në mundësinë e saj për të rivendosur rendin ligjor”, ka thënë i 62-vjeçari.
Ndërsa Komisioni Evropian ka propozuar përdorimin e nenit 122 të Traktatit të BE-së për të ngrirë pasurinë për një periudhë të pacaktuar.
Ky nen u jep qeverive të BE-së dorë të lirë për të marrë çdo masë që konsiderojnë të nevojshme, me shumicë të kualifikuar, për të zgjidhur një situatë të vështirë ekonomike në BE.
Marrëveshja për ngrirjen e pasurisë ruse për një periudhë të pacaktuar do të eliminonte rrezikun kryesor që lidhet me përdorimin e saj për financimin e Ukrainës, pasi Hungaria dhe Sllovakia nuk do të kishin më të drejtë vetoje për zgjatjen e ngrirjes çdo gjashtë muaj, siç ndodh tani. /Telegrafi



