ORCA me aksion para Rektoratit: Kontestohet avancimi i profesoreshës në UP
ORCA e konsideron të papranueshme mënyrën se si po tentohet të shtyhet përpara avancimi akademik i Fatlume Berishës nga Fakulteti i Edukimit në Universitetin e Prishtinës, ndonëse, sipas ORCA-së, kandidatja nuk i përmbush kriteret minimale për zgjedhje në thirrjen e profesorit të rregullt.
“Rasti në fjalë është shndërruar në një demonstrim se si një interes personal mund të mobilizojë mekanizma të tërë institucionalë për ta anashkaluar një vlerësim profesional dhe për të relativizuar kriteret akademike që duhet të vlejnë njësoj për të gjithë”, ka vlerësuar ORCA.
“Në mbledhjen e Senatit të 17 dhjetorit 2025, Trupa Këshilldhënëse e Rektorit nuk e rekomandoi kandidaten për avancim për shkak se ajo nuk i përmbushte kriteret minimale të punimeve shkencore. Njëri nga punimet ku Fatlume Berisha është autore korrespondente është i botuar në revistën European Journal of Educational Research që figuron në listën e Jeffrey Beall për revista dhe botues të dyshimtë. Në vend që kjo çështje të trajtohej thjesht sipas rregullave ekzistuese, rasti u kthye në Fakultetin e Edukimit për rishqyrtim, duke hapur kështu një proces të panevojshëm që shpejt u shndërrua në përpjekje për të justifikuar një punim problematik”, thuhet në reagimin e ORCA-së.
Më tutje thuhet se: “Në këtë përpjekje u vu në funksion një komision i Fakultetit të Edukimit për kinse “rishqyrtimin e kredibilitetit të revistës”, ku anëtare e komisionit ishte pikërisht Eda Vula, autore e parë e këtij punimit që po tentohet të përvidhet, pra konflikt i hapur interesi. Vula e cila është edhe senatore nga Fakulteti i Edukimit ka avokuar fuqishëm që revista të pranohet si e vlefshme për avancim. Përmes këtij mekanizmi u prodhua një përfundim i parashikueshëm se revista qenka kredibile, ndërsa rasti u rikthye sërish në Senat për shqyrtim”.
“Çështja e revistës është thelbësore në këtë rast. Revista në fjalë figuron në listën origjinale të Beall për botues dhe revista të dyshimta, të arkivuar publikisht. Gjatë viteve, revista ka ndryshuar adresën e saj në internet, duke kaluar nga një adresë në tjetrën. Kjo është një praktikë e njohur në botën e botimeve të dyshimta shkencore, ku revistat përpiqen të shmangin reputacionin e krijuar duke ndryshuar domenin ose duke krijuar përshtypjen e një entiteti të ri. Megjithatë, në raste të tilla identiteti i revistës mbetet i njëjtë, gjë që dëshmohet nga fakti se ISSN-i i saj nuk ndryshon dhe vazhdimësia editoriale mbetet e njëjtë. Në aneksin e dorëzuar nga ORCA për Senatin është argumentuar pikërisht kjo vazhdimësi, duke treguar se ndryshimi i domenit nuk krijon një revistë të re dhe për më tepër e bën edhe më të dyshimtë këtë revistë”.



