ORCA: Qeveria e kontrabandoi emrin e Driton Velës për bord të Agjencisë për Akreditim, do ta njoftojmë ENQA-n dhe EQAR-in
Organizata ORCA përmes një komunikate për medie ka reaguar lidhur me procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.
ORCA në reagim ka theksuar se është veprim shqetësues rikthimi i emrit të Driton Velës si ish-kandidat i LV-së për deputet në vitin 2019.
“Në mënyrë të paprecedentë dhe jashtë çdo vëmendjeje publike, ky emër është kontrabanduar në listën e kandidatëve, duke anashkaluar transparencën dhe ekspertizën e organizatave që monitorojnë arsimin e lartë. Ky zhvillim është veçanërisht alarmues duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një institucion të pavarur, kredibiliteti i të cilit është thelbësor për cilësinë e arsimit të lartë në vend”, është thënë në reagim.
ORCA ka rikujtuar në komunikatë se në vitin 2023, gjatë një procesi të mëhershëm për përzgjedhje në këtë bord, Driton Vela ishte diskualifikuar “pasi ishte kapur në flagrancë duke mashtruar komisionin përmes deklarimeve të rreme në aplikim”.
“Ky fakt, i dokumentuar dhe i bërë publik në atë kohë, e bën të pakuptimtë dhe të papranueshme rikthimin e tij në një proces të ri për të njëjtën pozitë. Për më tepër, ORCA është e informuar për parregullsi të shumta në procesin aktual, duke përfshirë paqartësi serioze në lidhje me raportin e komisionit vlerësues dhe mënyrën e procedimit të tij drejt qeverisë dhe institucioneve tjera”, është thënë në reagimin e ORCA-s.
Sipas organizatës, ky rast përbën një precedent të rrezikshëm të ndërhyrjes politike në institucione që duhet të jenë të pavarura dhe të bazuara në meritë.
“Përfshirja e personave me histori të dokumentuar të mashtrimit në procese të tilla jo vetëm që dëmton besimin e publikut, por rrezikon të minojë përpjekjet e viteve të fundit për ngritjen e standardeve në arsimin e lartë dhe për rikthimin e kredibilitetit të Agjencisë së Akreditimit në nivel ndërkombëtar”.
“Në këtë kontekst, ORCA rikujton ndërhyrjet e vitit 2017–2019 nga Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, të cilat çuan në cenimin e pavarësisë së Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe përfundimisht në përjashtimin e saj nga mekanizmat ndërkombëtarë të sigurimit të cilësisë. Fatkeqësisht, zhvillimet aktuale tregojnë se qasja e Kryeministrit aktual Albin Kurti nuk dallon në thelb nga ajo e paraardhësit të tij: ndërhyrja është e njëjtë, metoda është e njëjtë, dhe rreziku për pasojat mbetet real. ORCA shpreson që kësaj radhe rezultati të mos jetë i njëjtë dhe që Kosova të mos përballet sërish me izolim ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë” është thënë në reagimin e ORCA-s.
ORCA ka paralajmëruar se do të përdorë të gjithë mekanizmat në dispozicion për të ndalur këtë përpjekje për kapje të një institucioni të pavarur, përfshirë edhe njoftimin zyrtar të përfaqësuesve ndërkombëtarë të ENQA-s dhe EQAR-it për situatën e krijuar.
“Çdo ndërhyrje e tillë rrezikon drejtpërdrejt jo vetëm integritetin e Agjencisë së Akreditimit, por edhe kredibilitetin ndërkombëtar të arsimit të lartë në Kosovë”, është thënë në reagimin e ORCA-s.



