
Orë vendimtare për Trump, bombarduesit amerikanë pranë Iranit
Presidenti amerikan Donald Trump ka mbyllur këshillin e sigurisë kombëtare, ndërsa takimi zgjati disa orë. Shtëpia e Bardhë përgatitet të marrë një nga vendimet më të mëdha të presidencës së tij: nëse do të angazhojë forcat amerikane në luftën midis Izraelit dhe Iranit.
Para takimit me gjeneralët e tij, Trump ka bërë një deklaratë tw fortë në rrjetin e tij Truth Social, ku kërcënoi drejtpërdrejt liderin suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, duke zbuluar se SHBA-të e dinë saktësisht vendndodhjen e tij dhe se është një “objektiv i lehtë”.
“E dimë saktësisht ku po fshihet ‘lideri suprem’. Është një objektiv i lehtë, por është i sigurt për momentin – nuk do ta eliminojmë, të paktën jo tani. Por nuk duam raketa të drejtuara ndaj civilëve apo ushtarëve amerikanë. Durimi ynë po soset”, shkroi Trump.
Ndërkohë, janë publikuar imazhe që tregojnë katër bombardues amerikanë B-52 Stratofortress të stacionuar në bazën ajrore Diego Garcia në Oqeanin Indian – në distancë të arritshme për sulme ndaj Iranit.
Këta avionë, që mund të mbajnë armë bërthamore ose bomba me precizion të lartë, mbërritën në bazë që në mesin e majit, sipas imazheve satelitore të siguruara nga Planet Labs.
Përveç bombarduesve B-52, në Diego Garcia ndodhen gjithashtu një avion transportues C-17 Globemaster III dhe gjashtë aeroplanë që besohet të jenë KC-135, të aftë për furnizim me karburant në ajër – një shenjë se SHBA-të po mbajnë në gatishmëri një kapacitet të konsiderueshëm ushtarak në rajon.
Trump është rikthyer në Uashington me nxitim, duke ndërprerë pjesëmarrjen në samitin e G7 në Kanada, gjë që ka rritur spekulimet për një përshkallëzim të luftës dhe përfshirje direkte të SHBA-së në konfliktin Izrael-Iran. Deri tani, ai nuk ka marrë vendim për të ndërmarrë sulme kundër Iranit, por ka ofruar mbështetje mbrojtëse për Izraelin gjatë fushatës pesëditore të bombardimeve.
Situata mbetet jashtëzakonisht e tensionuar dhe çdo vendim i ardhshëm nga Uashingtoni mund të ndryshojë rrjedhën e konfliktit në Lindjen e Mesme.