Organizatat e shoqërisë civile: Kuvendi nuk mund të mbetet peng, bllokada institucionale po cenon rendin demokratik

30 qershor 2025 | 16:31

Organizatat e shoqërisë civile kanë reaguar për situatën e krijuar në vend, për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Sipas këtyre organizatave, Kuvendi nuk mund të mbetet peng, pasi bllokada institucionale po cenon rendin demokratik.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës është institucioni më i lartë përfaqësues dhe bazamenti i demokracisë parlamentare. Përmes tij, themelohen institucionet e tjera të vendit dhe garantohen parimet kushtetuese të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve. Prej më shumë se dy muaj e gjysmë, vendi qëndron pa një Kuvend të konstituuar. Ky vakum institucional ka penguar miratimin e ligjeve, mbikëqyrjen demokratike të Qeverisë dhe trajtimin e çështjeve urgjente që prekin jetën e qytetarëve”, është thënë në reagimin e tyre për medie.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese rikthen qartësinë procedurale

Organizatat e shoqërisë civile kanë vlerësuar se në këtë kontekst, Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 26 qershor 2025 (rasti KO124/25) ishte një ndërhyrje e domosdoshme për të adresuar paqartësitë procedurale dhe për të përcaktuar qartë kufijtë kushtetues dhe rregullat e konstituimit të Kuvendit. “Gjykata ritheksoi se kjo procedurë është e sanksionuar nga Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit, dhe praktikat parlamentare të konsoliduara ndër vite – dhe çdo devijim nga to përbën shkelje të rendit kushtetues. Gjykata theksoi se partia fituese e zgjedhjeve ka të drejtë të propozojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit, por kjo e drejtë nuk është absolute – ajo është e lidhur ngushtë me detyrimin për të ndërtuar shumicë përmes bashkëpunimit me grupet tjera parlamentare”, thuhet në reagim.

Devijimet e Kryesuesit të seancës dhe instrumentalizimi politik

“Takimi i datës 8 prill 2025, i mbajtur mes Kryetarit të Kuvendit të legjislaturës së kaluar dhe përfaqësuesve të partive politike, ka shërbyer si bazë për përgatitjen e seancës konstituive. Ai përcaktoi qartë rendin e ditës dhe nuk parashihte votim të fshehtë. Çdo veprim në kundërshtim me këtë marrëveshje është jokushtetuese, dhe si e tillë përbën shkelje të parimeve të besimit të ndërsjellë dhe të praktikës parlamentare. Megjithatë, z. Avni Dehari, si Kryesues i seancës, ka devijuar nga rendi i dakorduar, ka shtyrë procedurat, ka propozuar një komision për votim të fshehtë pa bazë ligjore dhe ka lejuar përbërjen e tij pa përfaqësim adekuat të partive të tjera parlamentare. Kjo përbën një ndërhyrje të papranueshme në procedurën e konstituimit të Kuvendit, si dhe është cenuar parimi i përfaqësimit të drejtë parlamentar, duke e shndërruar këtë proces në një veprim njëpartiak dhe jo-konsensual. Me veprimet e tij, z. Dehari nuk ka qenë një lehtësues i procesit demokratik, por është shndërruar në instrument të bllokadës. Ai ka shkelur parimin e neutralitetit që i kërkohet një kryesuesi të seancës konstituive”, është thënë në reagimin e organizatave të shqoërisë civile, të publikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Standardet demokratike nuk mund të ndryshohen njëanshëm

Sipas këtyre organizatave, Gjykata Kushtetuese ka theksuar se Kuvendi duhet të përmbyllë procesin e konstituimit brenda afatit 30-ditor. “Po ashtu, Gjykata Kushtetuese ishte e qartë se votimi për Kryetarin e Kuvendit duhet të jetë i hapur, ashtu siç ka qenë në çdo seancë tjetër konstituive deri më tash. Përpjekja për të imponuar një votim të fshehtë përmes mjeteve të njëanshme është precedent i papranueshëm dhe cenues i integritetit të procesit. Për më tepër, krahasimi me votimin për nënkryetarët është i pabazë. Rregullat për nënkryetarët burojnë nga nevoja për përfaqësim politik dhe etnik, ndërsa zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit është akt i vullnetit politik që kërkon konsensus dhe marrëveshje. Gjykata ka bërë të qartë se si partia fituese, ashtu edhe partitë e tjera duhet të bashkëpunojnë në mirëbesim për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Shkelja e këtij parimi është shkelje e frymës së Kushtetutës”, theksohet në reagimin e këtyre organizatave.

Bllokada thellohet

“Më datë 28 qershor 2025, në vazhdimin e seancës konstituive, u shkel qartazi aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Përmes instrumentalizimit të Kryesuesit, Lëvizja Vetëvendosje jo vetëm që po refuzon bashkëpunimin, por po zvarrit qëllimisht procesin për të imponuar një zgjidhje të njëanshme – veprim ky drejtpërdrejt kundërkushtetues. Janë tashmë 39 tentime të dështuara për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit – 39 herë që seanca është kthyer në skenë të manipulimit procedural dhe të interesave të ngushta partiake e personale, për shkak të një qasje obstruksioniste. Deputetëve po u mohohet e drejta për të ushtruar funksionin e tyre, ndërsa qytetarët po mbeten pa përfaqësim funksional”, është thënë ndër të tjera në reagimin e organizatave të shoqërisë civile.

Thirrje për përgjegjësi dhe rikthim të funksionalitetit

Organizatat e shoqërisë civile kanë bërë thirrje për përgjegjësi dhe rikthim të funksionalitetit. “Kuvendi nuk është pronë e askujt. Ai nuk mund të mbahet peng nga vullneti i një subjekti të vetëm politik. Demokracia kërkon funksionim, respekt të procedurave, dhe vullnet për kompromis. U bëjmë thirrje të gjitha partive politike, e në veçanti partisë fituese, që të përmbushin detyrimet e tyre kushtetuese dhe të mundësojnë zhbllokimin e procesit. Kuvendi duhet të kthehet në funksion – për të miratuar ligje, për të mbikëqyrur qeverinë dhe për të përfaqësuar interesin qytetar”, është theksuar në reagimin e tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Botafogo ka konfirmuar largimin e trajnerit Renato Paiva pas eliminimit…