orrupsioni mundësoi ngritjen e fabrikës “Ciao Berto”- Tre zyrtarë para gjyqit për favore ndaj biznesmenit Blerim Krasniqi

17 korrik 2025 | 15:43

Merita Simnica, Burim Gërguri dhe Ibrahim Krasniqi përgjatë së mërkurës kanë dalë para gjykatores që të mbrohen në heshtje. Përmes korrupsionit, tre zyrtarët e Komunës së Obiliqit dyshohet se fuqizuan kompaninë “Ciao Berto”, me pronar Blerim Krasniqin, duke ia mundësuar kundërligjshëm lejen ndërtimore për ndërtimin e fabrikës.

Merita Simnica në cilësinë e shefes në Drejtorinë për Planifikim Urban, Pronë, Gjeodezi dhe Kadastër në komunën e Obiliqit, Burim Gërguri si kryesues i Kuvendit Komunal dhe Ibrahim Krasniqi si inspektor i ndërtimit dyshohet se tejkaluan kompetencat zyrtare para disa vitesh për t’i sjellë dobi pasurore Blerim Krasniqit.

Siç thotë aktakuza, në prill të 2019-ës kishin lëshuar një leje ndërtimore për ndërtimin e fabrikës së mobilieve të “Ciao Berto”, e cila ndodhet në Katunin e Begut, sipas të dhënave në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës. Më saktësisht, Burim Gërguri atëbotë kishte nënshkruar një vendim në cilësinë e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Obiliqit, që shihte aprovimin e kërkesës së biznesmenit Krasniqi për ndërrimin e destimit të tokës nga bujqësore në jobujqësore.

Megjithatë, kërkesa ishte refuzuar paraprakisht nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, meqë kërkesa ishte në kundërshtim me Ligjin për tokën bujqësore.

Blerim Krasniqi ndërkaq në cilësinë e inspektorit të Komunës së Obiliqit nuk ndërmerrte masat ligjore për ndërprerjen e punimeve pa leje të, ndër të tjera, edhe “Berto”-s.

Për këtë rast, meqë kishte pranuar fajësinë, ishte gjobitur me 3,600 euro gjobë Arben Berisha, ku në kohën që e ka kryer veprën penale ka shërbyer si drejtor në Drejtorinë për Planifikim Urban, Gjeodezi dhe Kadastër në Komunën e Obiliqit. Që të tre të akuzuarit dje vendosën të mbrohen në heshtje, ku u kërkua nga trupi gjykues që të jepet fjala përfundimtare. Megjithatë, prokurori kërkoi dje nga trupi gjykues me fjalën përfundimtare të vazhdohet në seancën e radhës, për t’u përgatitur më mirë shkaku i vëllimit të lëndës. Më pas, u ndërpre seanca.

Përkundër që shkeli ligjin në këtë rast, biznesmeni Krasniqi nuk është pjesë e hetimeve që janë zhvilluar tash e pesë vite.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia në Pejë ka njoftuar se ka arrestuar katër persona…