OSBE-ja: Bashkëpunimi ndër-komunal është një mjet i fuqishëm, por pak i shfrytëzuar
Një raport i ri tematik i OSBE-së “Bashkëpunimi Ndër-komunal në Kosovë: Mësimet e nxjerra dhe mundësitë e ardhshme” nxjerr në pah dimensionet politike, ligjore dhe praktike të bashkëpunimit ndër-komunal.
“Duke u mbështetur në punën e madhe të bërë në terren, intervistat dhe konsultimet institucionale, raporti analizon pse BNK-ja mbetet pak e shfrytëzuar pavarësisht kornizës ligjore që mundëson funksionimin e saj, dhe identifikon pengesat kryesore strukturore dhe operacionale. Ky raport synon të mbështesë institucionet dhe komunat në forcimin e bashkëpunimit, përmirësimin e ofrimit të shërbimeve dhe integrimin e bashkëpunimit ndër-komunal si një praktikë thelbësore e qeverisjes lokale efektive, të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse”, ka njoftuar OSBE-ja.
“Pavarësisht këtyre përfitimeve potenciale, bashkëpunimi ndër-komunal është ende shpeshherë joformal, i pastrukturuar ose nuk ndodh fare. Si rezultat, humbasin mundësitë për shërbime më të fuqishme, shpenzime publike më efikase dhe bashkëpunim më të avancuar mes komuniteteve”, ka thënë ambasadori Gerard McGurk, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Raporti identifikon disa mundësi kyçe për përmirësimin e BNK-së, duke përfshirë: Thjeshtimin dhe modernizimin e kornizës ligjore për të lehtësuar themelimin e marrëveshjeve ndër-komunale. Krijimin e stimujve politikë dhe një fondi të dedikuar për bashkëpunimin ndër-komunal. Forcimin e mbështetjes institucionale, veçanërisht përmes rritjes së kapaciteteve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për këshillim, monitorim dhe promovim të marrëveshjeve. Promovimin e bashkëpunimit ndër-komunal në fushat e gjithëpërfshirjes, përfshirë reagimet ndaj dhunës me bazë gjinore, shërbimet për të rinjtë dhe iniciativat mes komunave me përbërje të ndryshme komunitare.
Raporti përfundon se, nëse implementohen këto reforma dhe investime, bashkëpunimi ndër-komunal mund të transformohet nga një praktikë margjinale në një instrument thelbësor për përmirësimin e performancës komunale dhe forcimin e qeverisjes lokale.
Raporti i plotë mund të gjendet këtu.



