OSBE-ja vazhdon mbështetjen për sistemin prokurorial të Kosovës

20 dhjetor 2022 | 15:23

OSBE-ja do të vazhdojë mbështetjen për sistemin prokurorial të Kosovës në të gjitha fushat e interesit të përbashkët. Kështu ka thënë të martën ambasadori i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport gjatë takimit që ka pasur me kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku.

Kryesuesi Maloku dhe ambasadori Davenport, gjatë këtij takimi kanë diskutuar për avancimin e komunikimit dhe bashkëpunimit mes KPK-së dhe OSBE-së, me qëllim të fuqizimit të kapaciteteve profesionale dhe administrative të sistemit prokurorial të Kosovës.

Kryesuesi Maloku me këtë rast tha se OSBE-ja ka dhënë kontribut të vazhdueshëm në mbështetje të KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit në ngritjen e kapaciteteve profesionale përmes trajnimeve specifike, përmes hulumtimit dhe monitorimit të rasteve të dhunës në familje, hartimit të raporteve monitoruese dhe hartimit të Strategjisë kundër trafikimit të njerëzve.

Gjatë këtij takimi, ambasadori Davenport u interesua edhe për situatën e krijuar në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës pas dorëheqjes së ofruar nga prokurorët e komunitetit serb të kësaj prokurorie, ku nga kryesuesi Maloku u njoftua me veprimet që janë marrë dhe janë duke u marrë lidhur me situatën e re të krijuar në këtë prokurori.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gianni Infantino, presidenti i FIFA-s, dëshiron që Kupa e Botës…